Ankohen besimtarët/ Ndodh çudia në Dibër, në minaren e xhamisë vendosen antena telefonie celulare

Ndonëse është një objekt kulti dhe në të luten besimtarët musliman të fshatit Maqellarë në Bashkinë Dibër, çuditërisht në minaren e kësaj xhamie janë vendosur antenna valësh të një telefonie celulare. Ky fakt ka shqetësuar besimtarët që shkojnë e luten në këtë objekt kulti.

Ata kanë kërkuar që antenat të hiqen jo vetëm për faktin se shëmtojnë minaren e xhamisë, por edhe janë të rrezikshme pasi lëshojnë valë të dëmshme për shëndetin si dhe mund të bëhen objekt i goditjes nga shkarkesat elektrike, pra rrufetë. Shqetësimin e ngre edhe imami i kësaj xhamie, Shaban Skuka i cili shprehet se antenat duhet të hiqen menjëherë.

“Unë si imam kam problem për antenën. Është vendosur pa pyetur imamin dhe komunën. Besimtarët janë ankuar sepse ka valë dhe janë të dëmshme për shëndetin. Kjo nuk lejohet, është e paprecedentë,”-u shpreh imami.
I kontaktuar nga ana jonë, Myftiu i Dibrës, Muis Kurulla tha se është në dijeni të shqetësimit të banorëve të Maqellarës dhe se këtë problematikë, ja ka përcjellë Komunitetit Musliman Shqiptar. Kjo nuk është hera e parë që objektet e kultit përdoren për vendosjen e antenave të telefonisë së lëvizshme apo shërbimeve të tjera elektronike.