Diaspora për Strugën reagon ndaj Zaevit: Nuk jemi ne “Bankomat” por shtyllë e ekonomisë!

Sot Zoran Zaev njoftoi se njerëzit që kanë jetuar jashtë Maqedonisë së Veriut për më shumë se një vit do të kategorizohen si jorezidentë. Në të njëjtën kohë komunikohet se ne jemi i vetmi vend në Evropë që nuk ka bërë regjistrimin e popullsisë që 18 vjet. Ky formulim është zgjedhur në mënyrë shumë elegante për të sugjeruar se gjoja bëhet një orientim drejt normave evropiane dhe kështu stigmatizon zërat kritikë si “anti-evropianë”.

Orientimi selektiv drejt standardeve evropiane lë shumë pyetje pa përgjigje. Pse të mos orientoheni drejt Evropës kur bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit, ndarjen midis fuqisë legjislative dhe asaj judikative ose trajtimin e barabartë të qytetarëve? Është e qartë se diaspora shqiptare përbën shumicën dërmuese dhe siç duket në këtë menyre që nga fillimi u gjet një recetë për të hapur më vonë derën për hapa të mëtejshëm siç është formimi i një njësie elektorale ku e gjithë diaspora voton për 1-2 vende parlamentare dhe kështu të margjinalizohet vota e Diasporës. Lë gjithashtu derën hapur për heqjen e mundësisë të dy shtetësive, në mënyrë që një pjesë e diasporës shqiptare të mos shfaqet më në asnjë statistikë dhe kështu të krijohet përbërja e popullsisë që i përshtatet dikujt.

Një shoqëri e hapur për të gjithë duhet të ketë barazinë si themel. Jo-shqiptarët deklarohen si shqiptarë, vetëm për të marrë ato pak vende pune sipas MO nga shqiptarët. Një fëmijë shqiptar vritet para kamerave, por konsiderohet aksident. Shqiptarët janë në burgje për shkak të proçeseve të montuara. Kultura shqiptare mbështetet nga shteti me kontribute qesharake. Tani është përpjekja e re për të intensivuar spiralen e diskriminimit.

Diaspora duhet edhe ne të ardhmen të ketë të drejt të votoj në komunen e saj të origjinës. E drejta e votës nuk duhet të margjinalizohet në asnjë mënyrë. Asnjë masë nuk mund të pranohet që hap rrugën për ndryshimin e përbërjes së popullsisë në kurriz të një grupi të caktuar etnik.

Diaspora nuk është vetëm „Bankomat“, por shtyllë e ekonomisë dhe bartës i të drejtave elementare.

Tani është koha ku partitë politike shqipëtare ti kundërvëhen kësaj përpjekje.