Diaspora e gatshme t’i japë kredi Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka filluar të ofrojë bono të Thesarit për diasporën, me qëllim të orientimit të fondeve të diasporës në financime që mundësojnë zhvillimin ekonomik, sidomos pas rënies ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19.
Bonot e Thesarit janë letra me vlerë të garantuara nga shteti dhe të emetuara nga Thesari i Kosovës.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe bankat komerciale partnere për lëshimin e bonove të Thesarit për diasporën.

Shuma totale e paraparë për këto bono është 20 milionë euro, me mundësi rritjeje deri në 50 për qind, nëse do të ketë kërkesa
Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë një mbledhje të Qeverisë së Kosovës.
Kuponi i parë i interesit do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara.

Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, thotë për Radion Evropa e Lirë se emetimi i bonove të Thesarit do të jetë një mundësi më shumë që diaspora ta ndihmojë zhvillimin e Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se autoritetet e Kosovës është dashur ta konsultojnë diasporën përpara kësaj nisme.
“Mendoj se para se të dalin në shitje, në këto bono të Thesarit është dashur të involvohen akterët nga diaspora, por edhe nga shoqatat e bizneseve dhe të bisedohet më shumë rreth këtyre bonove, në mënyrë që të informohen më shumë njerëzit, bizneset, rreth formave të investimeve dhe përftimeve që do t’i marrin”, thotë Blakaj.

Diaspora e gatshme të investojë në bono të Thesarit
Individët dhe bizneset nga diaspora, shton Blakaj, pritet të kenë interesim për bonot e Thesarit.
Sipas tij, një gjë e tillë do t’i ndihmojë Kosovës të investojë në projekte strategjike zhvillimore, në mënyrë që të hapen vende të reja të punës.

Periudha e shitjes së këtyre bonove do të jetë nga 21 korriku deri më 18 gusht, kurse data e emetimit është më 20 gusht, 2021. Shuma minimale për blerje është 10,000 euro, kurse ajo maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro.
Investimi në bono është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Publik, ku interesi i përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, garantohet për të gjithë kohëzgjatjen, 3 dhe 5 vjet, dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

Kohë e shkurtër për njoftim të diasporës
Sihana Bejtullahu, nga organizata “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të duhet të diskutohet më gjerësisht me diasporën, që kjo e fundit të ketë më shumë informacione.
“Do të duhej të kishte gjithëpërfshirje, jo vetëm të institucioneve relevante, por edhe vetë diasporës. Gjithashtu, me aq sa kemi informata, periudha për të investuar (blerë bono të Thesarit) është pak e shkurtër (më pak se një muaj), duke pasur parasysh që nuk ka shumë kohë edhe për njoftimin e diasporës për detajet e procesit”, thotë Bejtullahu, duke shtuar se investimi në bono është një nga shumë mënyrat për nxitjen e diasporës për investime.

Kryesuesi i Komitetit të Financave të Odës Ekonomike Amerikane, Milazim Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto bono të Thesarit janë të mirëseardhura edhe për diasporën.

“Nëse më parë i kanë ruajtur paratë në bankat e Kosovës, apo i kanë ruajtur në bankat perëndimore me një interes më të ulët, tani diaspora do të ketë mundësi të investojë dhe ta ndihmojë Kosovën. Besoj që do të ketë interesim, pasi që diaspora vazhdimisht e ka ndihmuar Kosovën edhe pa ndonjë përfitim. Ka dhënë dhe nuk ka marrë asgjë. Tani, ata edhe investojnë, edhe përfitojnë”, thotë Abazi.

Letrat me vlerë ose bono të Thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që Qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i Qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë deri tash janë blerë kryesisht nga bankat komerciale.

Afër 1 miliard euro në vit nga diaspora
Ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e varur nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë.
Remitencat e pranuara në Kosovë kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë eurosh nё vitin 2020 – që paraqet një rritje vjetore prej 15.1 për qind.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, deri në fund të vitit 2021, remitencat pritet të shënojnë rritje vjetore prej rreth 11.8 për qind.

Bizneset ndiejnë mungesën e remitencave
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018 ka qenë mbi 850,000.
Qytetarët e Kosovës jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe në Zvicër dhe remitencat, sipas të dhënave të BQK-së, dërgohen kryesisht nga këto vende.