‘Diamanti i pazbuluar i Europës’/ Revista e njohur australiane flet me superlative për Shqipërinë


Revista australiane që i dedikohet udhëtimeve “The Journal” i ka dedikuar një shkrim kulturës dhe natyrës së Shqipërisë.

E vendosur mes veriut të Greqisë dhe ujërave të kaltër të Italisë, Shqipëria duhet të jetë një Mekë turistike.

Me një histori të mrekullueshme, bukuri natyrore dhe kuzhinë mesdhetare Shqipëria është diamanti i pazbuluar i Europës.

Kultura
Shqipëria nuk ngjan me asnjë vend tjetër në Tokë. Pasi u sundua për 500 vite nga Perandoria Osmane, në shekullin e XX u bë një prej vendeve më të izoluar në botë, pasi diktatori komunist Enver Hoxha theu lidhjet me BRSS-në, Kinën dhe Jugosllavinë.

Historia gjeografike dhe politike e vendit, bashkë me gjuhën e saj unike, i ka mundësuar shqiptarëve të ruajnë disa veçanti të mrekullueshme kulturore. Gjëja e parë që mund të vërejë një i huaj është se shqiptarët lëvizin kokën larët e poshtë kur duan të thonë “jo” dhe e tundin kur duan të thonë “po”, duke krijuar disa çaste të këndshme deri sa arrin të thyesh barrierën e gjuhës.

Mikrobuzët, mjetet kryesore të transportit, nuk kanë tabelë oraresh, kryesisht largohen kur mbushen plot. Por vonesat kalohen lehtësisht nga mikpritja, me kulturën shqiptare për të respektuar miqtë. Banorët përpiqen në maksimum që një vizitor në vendin e tyre të mos mërzitet. Disa qytete bllokohen krejtësisht në fillim të darkës, pasi të gjithë dalin për një “xhiro”.

Një ecje tradicionale, ku do të gjeni grupe personash të veshur mirë që shëtisin deri sa të mbarojë dita në shoqërinë e miqve duke biseduar për ditën. Nëse futeni në zakonin e xhiros, jini të vëmendshëm të shihni dordolecë të vendosur nëpër shtëpi, për shkak të një supersticioni antik, kjo përdoret për të larguar zilinë.