Dhuratë nga SHBA – Kërçova bëhet me dy shkolla modulare

ilustrim

Vendosen dy shkolla modulare me nga një klasë në Kërçovë, një në fshatin Bërzhdan ku ka 6 nxënës dhe një në fshatin Kaleshe e cila ka dy nxënës, donacion nga SHBA-të.

“Edukimi është pjesë shumë e rëndësishëm për jetën e të gjithë neve, për të gjithë komunitetet dhe të gjithë e kuptojmë vlerën dhe e vlerësojmë se të mësuarit më mirë bëhet kur është në mjedise të sigurta dhe të rehatshme për fëmijët”, pohoi Kejt m. Bërns, ambasadore e SHBA-ve në RMV.
Gazetarët pyetën kryetarin e komunës Fatmir Deharin se sa është vlera e këtyre dy klasave modulare, por nuk patëm përgjigje.

“Gjithmonë për të qenë e madhe një gjë duhet nisur nga hapi i parë dhe për ne mbi të gjitha e rëndësishme është vlera e prezencës dhe mbështetjes së përfaqësuesve të SHBA-ve nëpërmjet ambasadorëve në qytetin tonë”, tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

Informacionet që siguruan mediat në terren tregojnë se një shkollë e këtillë modulare ka kushtuar afro 7,500 dollarë, ndërsa objektet e vendosura në dy fshatra kapin vlerën e afro 15 mijë dollarëve.
Kujtojmë se kohë më parë mediat kanë informuar për gjendjen e shkollës në fshatin Kaleshe të Kërçovës por atëherë shkollën e gjetëm të mbyllur, ndërsa nga Komuna thanë se shkolla është jashtë funksionit prej kohësh, por atje janë dy nxënës për të cilët u vendos shkolla modulare!