Dhurata Hoxha padit Jeta Xharrën për shpifje për “ndarjen e Kosovës”

Në maj të këtij viti ‘Birn’ kishte publikuar një artikull me titull “Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve’ ku flitet për disa kontrata – për të cilat – artikulli i konsideronte si të dyshimta të dhëna e të nga ministria e Integrimeve gjatë Qeverisë Haradinaj.

Kjo Ministri, udhëhiqej nga Dhurata Hoxha. Kjo e fundit, sot e ka paditur portalin ‘kallxo.com’ për shpifje. Lajmin e ka konfirmuar për Periskopin, përfaqësuesi ligjor i PDK-së, avokati Skender Musa.

Musa thotë se sot i ka dorëzuar në gjykatë padinë dhe të gjitha materialet dhe provat ndaj lajmit të lartëcekur.

‘’E kam dërgu padinë në emër të Dhurata Hoxhës kundër kallxo.com, Prishtina Insight dhe Jeta Xharra. Ka të bëjë për një shpifje për kontrata që janë lidhë në mes të Qeverisë së Kosovës për lobim për heqje të vizave, realizim të vizave dhe anëtarësim në institucione ndërkombëtare që Jeta Xharra dhe kompanitë e saj e paraqesin kinse ka qenë kontratë për ndarje të Kosovës. Në gjykatë i kam dorëzu, së bashku me padi i kam dorëzuar edhe provat materiale, kontratat të cilat i ka shtrëmbëru Jeta Xharra me kompanitë e saj’’, përfundon Musa.

Ish-ministrja Hoxha gjithashtu kishte paralajmëruar padi edhe ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi, për deklarata që Hoxha i quan shpifje.

“Akuza se kinse në kohën time, janë shfrytëzuar paratë e taksapaguesve për lobim për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që janë shpifje, por janë produkt i një agjende të njerëzve të çmendur, të cilët me çdo kusht po mundohen që të bindin të tjerët se kinse ndarja e Kosovës ka qenë opsion real në diskutimet e nivelit zyrtar.Partia të cilën e përfaqëson PDK, ka qenë partia e vetme që në takime të nivelit të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kishte prezantuar një dokument që e bënte të qartë paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës’, kishte deklaruar Dhurata Hoxha.