Dhunoi babain me urdhër mbrojtjeje, 37 vjeçari kishte konflikte të vazhdueshme me të për çështje prone

Gazetari 37 vjeçar nga Shkodra, Robert Staka, i arrestuar për dhunë ndaj babait të tij, kishte konflikte të vazhdueshme me të për një pronë. Gazetari Simon Shkreli theksoi në një raportim live se toka në të cilën është ndërtuar banesa e të atit, është në pronësi të 37 vjeçarit.

I ati kishte marrë edhe më parë urdhër mbrojtjeje. Ai përballet me akuza: “Kanosja”, “Dhuna në familje”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

“Konflikti me të atin ishte për çështje të banesës. Toka ku është banesa i është lënë në emër të tij ndërkohë që shtëpia ku banon i ati është në pronësi të tij. Këtu siç duket kanë lindur konfliktet që kanë çuar deri në përplasje fizike, çka shihet në videon që ai ka postuar vetë në portalin e tij Shkodra News, në momentin kur ka ardhur edhe urdhri i mbrojtjes dhe ku ndodheshin edhe oficerët e policisë, si dhe baabi i tij që shihet i dhunuar. Kjo është situata, ai është arrestuar dje nga policia e Shkodrës dhe me urdhër të Prokurorisë, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza.”, raportoi Shkreli./abcnews.al