Dhimbja e kokës nga vapa, masa dhe kujdesi që duhet të tregoni

Dhimbja e kokës kur ekspozohesh nga dielli i fortë i muajve të verës është një problem që e vuajnë shumë njerëz. Dhimbjet e kokës ndodhin zakonisht kur qëndrojmë për një kohë shumë të gjatë në diell.
Është e rëndësishme që të kuptojmë cilët janë faktorët, përveç diellit, që shkaktojnë këtë problem. Më poshtë do të mësoni mbi kujdesin që duhet të tregoni për të lehtësuar dhimbjen e kokës nga vapa.

Shkaqet e dhimbjes së kokës nga dielli
Një nga arsyet kryesore është koha që qendrojmë të ekspozuar në diell. Personat që preferojnë të dalin me flokë të lagur, apo direkt pas një dushi, kanë më shumë mundësi të vuajnë nga një dhimbje koke. Ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës, ajër i thatë e i nxehtë, dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë me diellin shkaktojnë dhimbje të forta koke. Simptoma ekzistuese si sinuset e bllokuara dhe migrena, bëjnë që ekspozimi ndaj diellit të sjelli një përkeqësim të gjendjes shëndetësore të tyre.

Një arsye që nuk është shumë e njohur është pikërisht ulja e nivelit të sheqerit. Kur ne ecim në diell trupi ynë punon pak më shumë për të ruajtur temperaturën e brendshme. Këtij procesi i shtohet lodhja e muskujve dhe ndryshimi i presionit të gjakut dhe i lëngjeve të trupit. Të gjithë këto faktorë ndikojnë në formimin e dhimbjes së kokës.

Simptomat
Disa nga shenjat që paralajmërojnë dhimbjen e kokës nga dielli i listojmë më poshtë:
Dhimbje therëse e kokës, Të përzierat, Ndjeshmëri ndaj dritës, Dhimbje e qafës, Dehidratimi.
Si të parandalojmë dhe trajtojmë dhimbjet e kokës
Dhe pse qetësuesit janë të shumtë, dhe të aftë për të luftuar dhimbjet e kokës, shpesh nuk janë të përshtatshëm për këtë lloj dhimbje koke. Ju sjellim disa metoda për të shmangur dhimbjet e kokës nga dielli i stinës së verës.

Ambientet e freskëta duhet të kthehen në vendet tuaja të preferuara
Një dhomë me ajër të freskët gjatë muajve të nxehtë të verës është zgjidhja e përkryer. Për personat që punojnë në mëngjes e mira është të shmangin oraret e diellit të fortë. Kjo është shumë e thjeshtë, mjafton të dilni nga shtëpia pak më herët që të arrini në zyrën tuaj pa ju parë dielli i fortë. Nëse do t’ju duhet të lëvizni dhe gjatë ditës, atëherë zgjidhni rrugën me më shumë hije. Kudo që të shkoni, sigurohuni që të keni një shishe me ujë të ftohtë me vete.

Merrni me vete një kapele
Kur shkojmë në plazh, shumë nga ne bëjnë gabimin dhe nuk vendosin kapele. Ajo bënë të mundur krijimin e një hijeje për sytë tanë, duke i mbrojtur nga ekspozimi i drejtpërdrejt me rrezet e diellit. Njësoj si lëkura kë nevojë për kremin mbrojtës, dhe sytë duan përkujdesje. Kapelja dhe syzet janë dy nga mënyrat më të thjeshta për t’i mbrojtur.

Disa kura të thjeshta në kushte shtëpie.
Kur të ktheheni në shtëpi është e mira që të bëni një dush të vakët, në mënyrë që temperatura e trupit të ulet. Lagni një peshqir të vogël me ujë të ftohtë dhe vendoseni pranë syve dhe ballit, ndërkohë që çlodheni. Merrni paketa çaji kamomili dhe vendosini në ujë të ftohtë, më pas aplikoni direkt në sytë tuaj. Çaji do të qetësojë menjëherë dhimbjen e syve dhe do të uli ënjtjen nga vapa.