“Dhëndri i shqiptarëve” zgjidhet President i Parlamentit të Republikës së Gjenevës

Është bërë e ditur se më 11 maj 2020 President i Parlamentit të Republikës së Kantonit të Gjenevës në Zvicër u zgjodh Francois Lefort, kandidat i Partisë Ekologjike.

Sipas informacioneve, thuhet se presidenti i ri së fundmi u votua nga deputetët e të gjitha partive, që përfaqësohen në Parlamentin e Gjenevës. Duhet theksuar se Francois Lefort është personalitet i shquar, profesor dhe shkencëtar dhe po ashtu i angazhuar si militant ekologjik që në moshë të hershme e politikisht deputet që nga viti 2009.

Francois Lefort, tashmë president i Kantonit të Gjenevës, është bashkëshorti i artistës dhe pianistës shqiptare Ermira Zyrakja-Lefort, e cila ka vlera e kontribute në artin klasik, por dhe për artin e kulturën shqiptare kudo në diasporë.

Fotografia e Ermira Lefort

Nga ana tjetër, vlen të cekët se Francois Lefort me njohje historike-kulturore dhe aktuale për shqiptarët, ka qenë dhe mbetet miku i shqiptarëve vite me radhë. Me integritet demokratik e vërtetësi është prononcuar me diskutime të drejta për kauza të rëndësishme për komunitetin shqiptar.

“Dhëndri ynë”, siç e konsiderojnë me shumë respekt e vlerësim, presidenti i posazgjedhur në tribunën e lartë parlamentare të Republikës së Kantonit të Gjenevës, përpos misionit të tij të rëndësishëm, ka gjithë afeksionin e shqiptarëve të komunitetit, sepse është “Presidenti” që me modesti, miqësisht e me respekt për ne flet edhe gjuhën shqipe.

Krahas të gjitha këtyre të lartpërmendurave, duhet të ceket se disa vjet radhazi President i Parlamentit të Kantonit të Gjenevës ishte Eric Leyvraz, një mik tjetër i shqiptarëve, i cili disa herë ka vizituar trojet shqiptare.