Deutsche Welle: Maqedonia e Veriut paralizohet nga Covid-19

Media prestigjioze gjermane Deutsche Welle, i ka kushtuar një shkrim situatën me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut është përfshirë nga një valë e re e rasteve me pandeminë e koronavirusit.

Sipas autoriteteve rastet kanë të bëjnë me shtimin e kontakteve dhe vizitave familjare me rastin e Fiter Bajramit.

“Në Maqedoninë e Veriut ka ndalime masive të lëvizjes për shkak të shpërthimit të një vale të re të virusit korona.

Shifra rekord e së premtes me 177 raste të reja të regjistruara, pasohet nga një tjetër 125 infektime të shtunën, duke u bazuar tek autoritetet vendase të shëndetësisë”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ndërkohë duke vendosur ndalim qarkullimi 80 orësh për qytetet e komunat më të prekura.

Nga e enjtja në mbrëmje u vendos ndalim qarkullimi, i cili përfundon në orën 5 të mëngjesit të hënën.

Për pjesën tjetër të vendit vlen ndalimi i qarkullimit natën.

Një ndalim i plotë i lëvizjes është vendosur në Shkup, qytetin industrial Shtip dhe disa zona të banuara me shumicë shqiptare.

“90 për qind e rasteve të koronës vijnë nga 15 familje”.

Ekspertët e lidhin shpërthimin e valës së re të pandemisë me rastet e reja në një fabrikë ëmbëlsirash, si edhe me takimet familjare përgjatë festës së Bajramit pas përfundimit të muajit të Ramazanit.

90 për qind e rasteve të koronës vijnë nga 15 familje, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Venko Felipce të premten.

Infektimet vijnë si pasojë e mosrespektimit të rregullit për mënjanimin e grupimeve me njerëz.

Por kjo valë për shkak të shtimit të testimeve do të vendoset shpejt nën kontroll, është shprehur Filipce.
Në Maqedoninë e Veriut deri të dielën kanë qenë të regjistruar 2 mijë e 915 vetë me virusin Sars-CoV-2.

Deri më tani kanë humbur jetën 151 vetë.