Kishte vetëm pak muaj që ishte bërë baba për herë të dytë. La pas bashkëshorten dhe dy fëmijë të mitur. Santiago Malko, 26 vjeç, ish-efektiv i forcave të policisë, u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, brenda në makinën e tij, nga autorë ende të paidentifikuar. Ajo që është e sigurt, është se ata e donin të vdekur! E kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi pasi i bënë pritë me dy automjete.
Teksa kishte vite i larguar nga radhët e policisë, edhe bashkëshortja e tij, Dea Riçku, ka qenë deri në vitin 2016 pjesë e forcave “Shqiponja”. Ish-efektivja me origjinë nga Dibra, tashmë do të duhet të rrisë e vetme dy fëmijët, djalin 14 muajsh dhe vajzën 3-vjeçare.
Historia e tyre e dashurisë zuri fill në Akademinë e Sigurisë, kur dy të rinjtë ishin në kursin për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit Shqiptar.
Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj, dhe më pas është tërhequr nga Policia.
Përfshirja e Santiago Malkos në një ngjarje kriminale në vitin 2016, detyroi edhe Dean të largohet nga reparti i Shqiponjave në Policinë e Tiranës. Mbrëmjen e 14 prillit 2016 bashkëshorti i saj u përfshi në një konflik mes dy vëllezërve vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës, vendit ku punonte gruaja e tij. U konfliktua në një lokal bastesh, dhe e gjitha në atë kohë u mendua se kishte të bënte me një borxh të pashlyer.
Nuk kaloi shumë dhe Santiago Malko u përfshi edhe në vrasjeen në ish-bllok në tetot 2018 ku u qëllua për vdekje Fabjan Gaxhaj. Malko, konsiderohet mik i Ervis Martinaj, i mbetur i plagosur në lokalin “Monopol” në zonën e ish-bllokut, por pas marrjes në pyetje, ish-efektivi u la i lirë për këtë ngjarje të rëndë.
Kishte hedhur pas krahëve gjithçka nga e kaluara…Me nisjen e jetës familjare, tashmë si baba i dy fëmijëve, Santiago, siç të afërm pranë çiftit shprehen, tashmë i kishte kthyer sytë tek kërkimi i paqes përmes besimit në zot. Kishte zgjedhur të besonte në fenë islame, ndërkohë që siç të afërmit shprehen, nuk i mungonte përkushtimi dhe devotshmëria ndaj familjes së tij.