Detajet: 1.3 tonë kokainë hyri dje në Shqipëri me kamion bananesh – si përfundoi në Maqedoni

Detaje të reja janë zbardhur nga sasia e madhe e kokainës, e kapur këtë mbrëmje në Maqedoninë e Veriut, pas një aksioni të madh ndërkombëtar policor.
Sasia prej 1.3 tonë kokainë ka kaluar edhe nga Shqipëria, përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër, dhe më pas ka dalë nga pika kufitare e Qafë Thanës, duke hyrë në Maqedoninë e Veriut, aty ku u kap, para se të mbërrinte në destinacionin final, Slloveni.

Kokaina është sjellë me një kamion bananesh nga Amerika, ndërsa mësohet se policia shqiptare ka qenë në dijeni të këtij mjeti, i cili është futur dje në Shqipëri, pasi ka kaluar nga Mali i Zi.
Në aksion për kapjen e kokainës kanë marrë pjesë DEA amerikane, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe policitë e disa vendeve të tjera.

Lënda narkotike u zbulua mbrëmjen e sotme në një magazinë frutash, në Krushopek të Sarajit, ndërsa deri më tani kanë rënë në pranga tre persona, dy shoferë dhe një magazinier, që punonin në këtë magazinë.