Detaje rreth vrasjes së djeshme në Haraçinë

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup miratoi urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj një personi të dyshuar për veprat penale “vrasje” dhe “përpunim të paautorizuar, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim të armëve ose materialeve shpërthyese”, njoftojnë nga PTHP Shkup.

I dyshuari, më 29 prill, sipas Prokurorisë, në shtëpinë familjare në fshatin Haraçinë, gjatë kryerjes së dhunës në familje, vrau me dashje gruan e tij.

“Pasi u kthyen nga shëtitja dhe hynë në dhomën e tyre, ata filluan grindje verbale për shkak të mosmarrëveshjeve martesore. Në një moment, i dyshuari 39 vjeçar u nis drejt bodrumit të shtëpisë, ku mbante armë zjarri të palicencuar – pistoletë ‘Bereta’ me kalibër 7,65 mm. Ai e futi armën në xhepin e xhaketës dhe u kthye në dhomën, ku ndodhej e dëmtuara. Të dy bashkëshortët vazhduan të grindeshin, ndërsa i dyshuari nxori armën, ia drejtoi viktimës, duke kërcënuar se do ta vriste, dhe gjuajti një plumb në pjesën e pasme të kokës”, kumtuan nga Prokuroria.

Pas ngjarjes, i dyshuari e braktisi shtëpinë. Nga ana tjetër, gruaja (e dëmtuara) ka treguar shenja jete dhe dy dëshmitarë e çuan atë në spital, por ajo vdiq pasi u pranua atje.

I dyshuari është privuar nga liria, ndërsa prokurori kompetent publik deri te gjykatësi në procedurë paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup ka parashtruar propozim për përcaktimin e masës paraburgim, pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik nga ikja, mundësia që personi i dyshuar të ndikojnë te dëshmitarët dhe të pengojë procedurën penale, si dhe mundësia për përsëritje të veprës penale.