Një aksident trafiku ka ndodhur gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm në komunën e Sarajit. Vetura me tabela regjistrimi të Nishit të Serbisë ka rënë nga autostrada në oborrin e një shtëpie në Saraj, me çka është përplasur në muret e shtëpisë. Aksidenti ka kaluar pa viktima por me lëndime të rënda trupore të personave që kanë qenë brenda në veturë si dhe dëme materiale të makinës dhe shtëpisë ku është përplasur makina. Pronari i shtëpisë ku ka rënë vetura, rrëfen tmerrin e përjetuar.
Unë isha në banjo duke i larë sytë, kur dëgjova një ushtimë. Dola në dritare nga kuzhina, kur e pash diçka u dridh toka, vetëm unë isha zgjuar. Dola jashtë, kur e pash një veturë kishte ra nga lartë prej më larg nuk e di se prej ku fix, dhe kishte ra drejtë e në shtëpinë time. Dola njëherë nuk dija se çfarë të bëj, kam bërtitë. Fëmijët ishin në gjumë, i thirra djemtë, fillova të bërtas. Zbrita poshtë, çfarë të shoh… pyeta në gjuhën shqipe a është gjallë dikush? Nuk bëri zë, kur e pash më vonë regjistrimin e qytetit të NISH-it e pyta maqedonisht..më vonë dolën djemt e fëmijët. Kam përjetuar stres të madh. 1:42 Më vonë nisi të lëviz njëri, doli nga vetura, djali i ndihmoi pak, e kapi nga këmba dhe e nxorri jashtë për dritaren e thyer“- deklaroi Osman Terziqi, Pronar i shtëpisë në Saraj.
Kryefamiljari nga Saraji kërkon nga institucionet përgjegjësi për ndodhitë e këtilla, ndërkaq shprehet i revoltuar që disa herë ka kërkuar nga “Rrugët e Maqedonisë” si dhe komuna e Sarajit që të vendosin rrethoja në atë pjesë të autostradës e cila paraqet rrezik permanent për banorët.
Ne kemi stres të madh, aq shumë na ka dëmtu neve edhe psiqikisht por edhe materialisht, oborri, shtëpia e të gjitha të thyera, pllakat. Shteti duhet të interesohet, shumë vonë kanë ardh. Unë vet kam qenë iniciatori që para disa vitesh në Komunë kam kërkuar që të vendosin mbrotje lartë por nuk janë përgjigj as “Rrugët e Maqedonisë” as komuna as askush.. Unë jam 53 vite këtu dhe ska ndodh kjo. Mua më ka bë dëm dhe kërkoj dëmshpërblim gjithsesi, vetëm frikën çka e kam përjetu”-tha Osman Terziqi, Pronar i shtëpisë në Saraj.
Të lënduarit nga Nishi i Serbisë janë marrë nga Ndihma e Shpejtë disa çaste pas aksidentit dhe janë dërguar në spitalin “8 shtatori” në Shkup për trajtimet e nevojshme mjekësore.