Destani: “Bizneset e Diasporës Shqiptare mund ta krijojnë më së miri rrjetin e shitjeve”

Afaristi dhe filantropi i shquar shqiptar, Lazim Destani, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare në Tiranë, i cili për temë kishte “Tryeza e partnerëve – perspektiva të reja të investimit në atdhe”.

Destani tha se pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte kënaqësi, ku u diskutua mbi aspekte të ndryshme nga sfera e ekonomisë, ndërsa në fokus të takimit ishte prezantimi i projekteve për perspektiva të reja investimesh në trojet tona.

“Këto janë nisma që u shërbejnë vendeve tona, bizneseve, por edhe rritjes së interesit të investitorëve nga diaspora ose atyre të huaja në trojet tona”, u shpreh Lazim Destani.
Ai falënderoi pjesëmarrësit e shumtë, në nivel ministrash, zëvendësministrash e deputetësh, të cilët, sipas tij, shprehën gatishmërinë e tyre për ta mbështetur e për ta parë diasporën shqiptare si burim zhvillimi për ekonomitë e brishta të rajonit, por edhe të dëmtuara në këto kohë jo të mira.

“Siç e shpreha në fjalën time në këtë takim, komuniteti i biznesit dhe sidomos bizneset e diasporës, të mbështetura nga Qeveria dhe në bashkëpunim me organizata të tjera kombëtare e ndërkombëtare, kanë më shumë arsye për të qenë më të përkushtuar për ruajtjen dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit, si dhe për gjetjen e rrugëve e mundësive për investime të reja. Gjithashtu, mendoj dhe gjykoj se bizneset e Diasporës Shqiptare janë ato që mund ta krijojnë më së miri rrjetin e shitjeve, si dhe ta bëjnë promovimin e produkteve shqiptare në tregjet e vendeve perëndimore”, u shpreh filantropi Destani.

Në fund, ai uroi dhe shfaqi shpresën që ky aktivitet do t’u shërbejë Shqipërisë, trojeve shqiptare, produkteve shqiptare dhe bizneseve shqiptare të diasporës, por edhe atyre të huaja.
“Vendet tona kurdoherë kanë nevojë për mbështetjen e diasporës dhe diaspora, për dashurinë e përkushtimin e atdheut”, përfundoi Lazim Destani.