Kryepeshkopi i Afrikës së Jugut, Desmond Tutu, një ikonë anti-aparteid i përshkruar si një “kampion i të drejtave universale të njeriut”, vdiq të dielën. Ai ishte 90 vjeç.
“Vdekja e Kryepeshkopit Emeritus Desmond Tutu është një tjetër kapitull i pikëllimit në lamtumirën e kombit tonë ndaj një brezi afrikano-jugorësh të shquar që na kanë lënë trashëgim një Afrikë të Jugut të çliruar”, tha presidenti Cyril Ramaphosa në deklaratë.
Sipas medieve, Tutu luftoi vazhdimisht për drejtësi për popullatën me ngjyrë të Afrikës së Jugut nën aparteid dhe foli për paqen dhe pajtimin pas përfundimit të regjimit supremacist të bardhë në vitet nëntëdhjetë, përcjell Telegrafi.
Fituesi i çmimit Nobel “u dallua si një kampion josektar dhe gjithëpërfshirës i të drejtave universale të njeriut”, tha Ramaphosa.
“Humbja e Kryepeshkopit Emeritus Desmond Mpilo Tutu është e pamatshme”, tha fondacioni Nelson Mandela.
I njohur me pseudonimin e tij Arch, Tutu ishte një figurë konstante në pikat kyçe të historisë së Afrikës së Jugut.