Dështon konkursi për Drejtor të RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka vendosur që të mos e zgjedh drejtorin e përgjithshëm të RTK-së me arsyetimin se baza aktuale ligjore nuk mundëson zgjedhjen e një drejtori të ligjshëm. Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka thënë se nuk duhet të përsëriten shkeljet që janë bërë në të kaluarën me rastin e zgjedhjes së drejtorit.

“Baza ligjore e RTK është mjaft e varfër, udhëzimi administrativ që e kemi përdorur nuk është në përputhje me Ligjin për RTK-në… Në bordet e kaluara në komisionin e ankesave vetë kanë qenë anëtarët e bordit në komision vlerësues dhe vetë në komision të ankesave”, ka thënë ai. Ai ka thënë se drejtori i ri i RTK-së duhet të zgjidhet vetëm pasi të hartohet një rregullore e veçantë për këtë çështje.

“Unë jam për me i hap rrugë një procesi të ligjshëm. Prandaj mbi këtë bazë konsideroj që është emergjente krijimi i një rregulloreje të re për emërimin e drejtorit të përgjithshëm. Mbi këto rrethana konsideroj që këtë proces na duhet me e përmbyll sonte”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate që është bërë nga Boletini, ai ka vendosur që gjithë kandidatët që kanë arritur të kalojnë pragun minimal të hidhen në votim për t’u zgjedhur drejtor të RTK-së. Bordi në mënyrë unanime ka votuar kundër secilit prej kandidatëve për anëtarë të bordit. Pasi është përmbyllur votimi, kryetari i bordit Besnik Boletini ka thënë se do të hartohet një rregullore e re për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së.

“Konsideroj qe ky proces i konkursit tashmë është i mbyllur edhe ligjërisht dhe ne, në mënyrë të menjëhershme, do të marrim masa për krijimin e rregullores së re. Ne do të shkojmë me shpallje të konkursit sapo ta përgatisim rregullorën për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së”, ka thënë Boletini.

BIRN e ka monitoruar konkursin për drejtor të përgjithshëm të RTK-së dhe në bazë të monitorimit e ka publikuar një shkrim përmbledh që tregon detajet e gjitha fazave të rekrutimit duke përfshirë analizën e pikëve të dhëna nga anëtarët e bordit të RTK-së për secilin kandidatë.