Dështoj në planet e tij publike, Albin Kurti kërkon falje

Shefi i Qeverisë, Albin Kurti ka kërkuar falje pse s’e ka hequr një pjesë të taksës që ka pasur të nisë së zbatuari nga sot. Ka thënë se faji për këtë është te Lidhja Demokratike e Kosovës që s’po pajtohet që taksa të hiqet gradualisht.

“Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, ka shkruar Kurti.

Sherri i moslargimit të taksës kanë ardhur edhe sanksione nga SHBA. Tashmë është konfirmuar se fondet e MCC janë bllokuar derisa nuk hiqet taksa. shkaku i këtyre raporteve ka pasur senatorë që kanë kërkuar që edhe ushtarët amerikanë të largohen nga Kosova pasi Qeveria s’po zbaton kërkesat amerikane.

LDK ka mbetur në pozicionin e saj të njohur. As nuk është pajtuar me Vetëvendosjen për taksën por as s’ka marrë asnjë veprim për të zhbllokuar situatën. Ka folur Avdullah Hoti e Isa Mustafa duke thënë se taksa duhet të hiqet sipas kërkesës amerikane. Me deklarata kanë thënë se edhe largohen nga Qeveria nëse nuk respektohet një kërkesë e tillë.

Ndryshe, Albin Kurti në postimin në FB, ka shkruar edhe për koronavirusin, duke thënë se mbrëmë në seancën nuk e kanë mbajtur distancën e duhur. Edhe për këtë ka kërkuar falje.

“Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje”, ka shkruar ai.