Dështimi i Maqedonisë me pandeminë!

Derisa në Evropë, gjatë dy javëve të fundit (16-30 qershor 2020), incidenca e sëmundjes Covid-19 është ulur për 12 për qind, në Maqedoni dhe Kosovë shifrat janë të tmerrshme. Tre shtetet me incidencën më të lartë, sipas raportit të ECDC, janë Suedia me 149.4 raste në 100.000 banorë, Maqedonia me 99.5 në 100.000 banorë dhe Kosova me 66.2 raste në 100.000 banorë

Bashkimi Evropian, përmes European Center For Disease Control (ECDC), dje ka publikuar vlerësimin rapid të rrezikut nga virusi Covid-19, ndërsa ka radhitur Britaninë, Suedinë dhe Ballkanin Perëndimor, konkretisht Maqedoninë dhe Kosovën si vendet më të rrezikuara dhe më keq të menaxhuara në kohë të pandemisë.

Derisa në Evropë, gjatë dy javëve të fundit (16-30 qershor 2020), incidenca e sëmundjes Covid-19 është ulur për 12 për qind, në Maqedoni dhe Kosovë shifrat janë të tmerrshme. Tre shtetet me incidencën më të lartë, sipas raportit të ECDC, janë Suedia me 149.4 raste në 100.000 banorë, Maqedonia me 99.5 në 100.000 banorë dhe Kosova me 66.2 raste në 100.000 banorë. Dhe, derisa autoritetet e shëndetësisë së Maqedonisë po lavdërohen se e kanë nën kontroll situatën, ndërsa fajësojnë kryesisht qytetarët, Raporti i ECDC-së e thotë të kundërtën , atë se Maqedonia nuk ka strategji të mirëfilltë dhe efikase për ballafaqim me valën e pandemisë.“Që nga 30 maji, të gjithë vendet kandidate për në BE po regjistronin rritje të rasteve të raportuara në krahasim me incidencën e rasteve të raportuara për 14 ditët e fundit të muajit prill. Rritjet kryesuan në nga 2 për qind në Maqedoninë e Veriut në mbi 100% në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali të Zi. Incidenca 14-ditore e rasteve të raportuara është në ose afër niveleve më të larta të vërejtura deri më tani edhe në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut”, thuhet në vlerësimin e ECDC-së, ndërsa shtohet se në këto vende mungon korniza e monitorimit dhe testimet në masë me qëllim parandalimin dhe identifikimin e vatrave të virusit. “Vendet si Maqedonia dhe Kosova duket se nuk kanë kornizë të fortë të monitorimit, për të përcjellë situatën epidemiologjike, për zbulimin e shpejtë të rritjes së transmetimit, dhe për vlerësimin e ndikimit të intervenimeve të kryera”, thuhet në vlerësimin e ECDC-së, ndërsa sugjeron ndërmarrjen urgjente të një strategjie të zgjeruar të testimit e që synon testimin gjithëpërfshirës të të gjithë individëve që shfaqin simptoma të Covid-19.

“Gjithashtu, nevojitet kornizë për gjurmimin e kontakteve të bazuar në testime të gjera, gjetjen aktive të rasteve, zbulim të hershëm të rasteve, izolimin dhe karantinimin e tyre dhe përcjelljen e vazhdueshme të kontakteve. Identifikim të shpejtë dhe hetim të vatrave të epidemisë të lidhura me mjedise specifike, me zbatimin e masave të rregullta parandalimit dhe kontrollit. Nevojitet edhe zbatim i qëndrueshëm dhe afatgjatë i masave jofarmaceutike (distancë fizike, maskë, higjienë e duarve)”, kërkon ECDC, ndërsa “fajëson” shtetet e rrezikuara tashmë se nuk i kanë menaxhuar masat anti-Covid, apo edhe i lehtësuan të njëjtat për arsye të ndryshme.

“Nevojitet gjithashtu strategji e fortë e komunikimit të rrezikut, me të cilën duhet t’i rikujtojë qytetarët se pandemia nuk ka mbaruar”, thuhet në vlerësimin organizatës së BE-së, ndërsa paralajmëron se incidenca 14-ditore e vdekjeve të raportuara gjithashtu po shënon rritje. “Që nga 30 maji, tre vende me incidencë 14-ditore të vdekjeve të raportuara mbi 5 për 100.000 banorë raportoi Maqedonia me rritje prej mbi 30% në krahasim 14 ditët e fundit të muajit prill, Shqipëria me normë 7 për 100.000 banorë, dhe Kosova me 8 për 100.000 banorë. Në Maqedoninë e Veriut, shkalla e rritjes tashmë është më e madhe se mesi i valës së pandemisë”.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut vetëm gjatë muajit qershor ka regjistruar numrin më të madh të personave të vdekur dhe të infektuar nga Covid-19. Nga rreth 6300 të infektuar që nga paraqitja e rastit të parë më 26 shkurt, vetëm në qershor janë infektuar afër 4000 persona ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 321. Vetëm ditën e enjte, ndërruan jetë 15 pacientë.