Dëshmuan Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi, a kanë ditur funksionarët e BDI-së për rastin “Monstra”?


Për rastin “Monstra” dëshmuan Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi, të cilët në kohën kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smilkovcës, kanë qenë pjesëtarë qeveritarë nga radhët e BDI-së.

Që të dy dëshmitarët kishin kujtesë të dobët për “bombat” ku janë dëgjuar zërat e tyre dhe prandaj në seancë u lexuan të njëjtat.

Bexhetit iu lexua “bomba” me ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe me Haki Azirin. Duke i komentuar të njëjtat, ai tha se brenga e tij ka qenë që nga rasti të mos shkatërrohen raportet ndëretnike dhe ndëreligjioze, ndërkohë ka deklaruar se për rastin e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kanë pasur këndëvshtrime të kundërta.

“Me vetë faktin që BDI edhe sot ka kërkuar që për këtë rast dhe të tjera raste që të ketë rigjykime dhe kyçje të institucioneve relevante dhe ndërkombëtare, tregon që kemi pasur dallime dhe ato dallime kemi konsideruar dhe konsiderojmë se janë mbi të gjitha të shëndetshme për shtetin, për institucionet e shtetit dhe të jurisprodencës që të evitohen ato dallime dhe të rritet mirëbesimi i qytetarëve ndaj organeve të jurisprudencës”, deklaroi Blerim Bexheti.

I pyetur për atë se a ka nënshkruar vendim për ekstradim të Agim Ismailoviqt dhe Alil Demirit, Bexheti u deklarua se ka vepruar sipas kompetencave të tij ligjore. Por, familjari i të akuzuarve në “Mostra”, Bedri Ajdari mendon ndryshe.

“Gabimet e gjyqësorit të mëparshëm kanë bërë që mos ekstradohen njerëzit, sepse janë të dënuar praktikisht me urdhër të dikujt, jo me urdhër të gjykatës”, thotë Bedri Ajdari.

Në foltoren e të dyshuarit u paraqit edhe ish zëvendëskryeministri për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Atij iu lexua “bomba” ku dëgjohet duke biseduar me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Në bisedë ai përmend “mësit” derisa fol për rastin “Mostra”.

U pyet, se a ka shkuar te ai dikush si shkues për rastin, Xhaferi tha se jo, dhe e komentoi atë që e dëgjoi.

“Po mundohem të mendoj në bazë të asaj që e lexuat në bisedën ilegale dhe të ju tregoj e çfarë ka mundur të ketë mes meje dhe Ahmetit. Jo, jo nuk mbaj mend se ka pasur ndonjë mësitni ndaj bashkëpartiakëve”, theksoi Xhaferi.

E pas seancës, Xhaferi tha se me këto bomba po bëhet përpjekje që t’i kthejnë bisedat normale për “Monstrën”, e cila siç tha ai ka qenë “ngjarje tronditëse, dhe normale të ketë pasur biseda mes tij dhe bashkëpartiakëve”.

Nga ana tjetër, avokati Naser Raufi ka deklaruar se këto dëshmi nuk mund të kontribuojnë në procedurën gjyqësore.

“Prej këtyre dëshmive jo, sipas mendimit tim”, deklaroi Naser Raufi.

Rasti ka vazhduar me dëshminë e Zoran Trajkovskit, nëpunësit policor i cili në “bomba” dëgjohet se si bisedon me person tjetër dhe sqaron se Sinisha Aleksovski e ka njoftuar se si para 12 prillit mund të ndodhë ngjarje e pakëndshme.

Rasti “Monstra” ka ndodhur më 12 prill të 2012-s, ku të vrarë mbetën 5 djem të rinj.