Deri më 15 prill është siguruar furnizimi me gaz natyror, thotë Bekteshi

Deri më 15 prill është siguruar furnizimi me gaz natyror në vend, deklaroi sot ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili nuk beson se do të kenë ndonjë problem në fushën e ngrohjes dhe energjisë elektrike në rast të një vendimi të mundshëm të Federatës Ruse për ta paguar gazin natyror në rubla nga “shtetet armike”.

“Në rast se do të merret një vendim i tillë, të gjitha burimet e tjera alternative të gazit natyror me të cilin do të furnizohet Bullgaria, do të mund t’i shfrytëzojmë edhe ne”, tha Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës së sotme për shtyp në Qeveri.

Bekteshi tha se si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, vendi do të respektojë të gjitha vendimet e marra në nivel të Aleancës dhe nga vendet anëtare të BE-së, por është i bindur se do të gjenden alternativa të tjera për furnizimin me gaz natyror. Në disa prej tyre, siç theksoi ai, ne tashmë po punojmë si shtet, e ky është interkonektori i ri me Greqinë, pjesëmarrja direkte në Aleksandropulos dhe interkonektori me Bullgarinë.

Bekteshi tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me guvernatorin e Bankës Popullore dhe se ende nuk ka ndonjë drejtim nga Banka Qendrore Evropiane sepse kursi i këmbimit nuk e përfshin rublën si valutë dhe nuk mund të bëhen transaksione të tilla.

Sa i përket licencës BEG dhe nëse do të hiqet ajo pas dështimit të kësaj kompanie në pikun e sezonit të ngrohjes, Bekteshi tha se nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Ekonomisë, por nëse pas marrëveshjes mes ESM dhe BEG, kushtet nuk plotësohen, atëherë me siguri do të veprohet sipas rregullave ligjore.