Dërgohet në Emergjencë vajza që u lëndua pas rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës

Një person është lënduar si pasojë e rënies së çatisë së objektit të ri të Komunës së Prishtinës dhe e njëjta është dërguar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tretman mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha se viktima i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore.

Ndërkohë, shefi i Urgjencës së Prishtinës, Avdyl Pacolli, tha se viktima ka pësuar politraumë me lëndime të shumëfishta, por ajo është jashtë rrezikut për jetë.

“Flitet për një paciente të gjinisë femërore e cila e ka pësu një politraumë me lëndime të shumëfishta, ndërkohë është në parametrat vital për jetën.

Ekipet e Qendrës së Mjekësisë Urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes pas thirrjes së qytetarëve edhe të Policisë.

Më pas vajzën e kanë dërgu në Qendrën Emergjentë pranë SHSKUK-së.

E njëjta është duke marrë tretman në qendrën emergjente dhe është duke iu nënshtruar ekzaminimeve klinike-diagnostike“, tha Pacolli për Sinjalin.

Sinjali ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, por të njëjtit kanë hezituar të përgjigjen në thirrjet dhe mesazhet e redaksisë.