Deputetja shqiptare reagon keq për martesat mes personave të gjinisë së njejtë: “Homose*sualët të shthurur, sjellin sëmundje”

Deputetja e Vetëvendosjes, Labinotë Demi-Murtezi, është deklaruar kundër miratimit të kodit të ri civil, për shkak të dispozitës që lejon regjistrimin e martesës mes personave të gjinisë së njëjtë. Ajo ka përdorur fjalë të rënda ndaj homose*sualëve, për çka i ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Ajo tha se me votën kundër synon “të mbrojë moralin publik” derisa tha se korniza ligjore në Kosovë nuk e pengon një çift të gjinisë së njëjtë që të bashkëjetojë.

“Kjo çështje ka nxitur edhe reagimin e bashkësive fetare, reagim të cilin e përshëndes. Nuk mund të themi se një parti e caktuar politike ka të drejtën e mendimeve brenda Grupit Parlamentar dhe se pozita unanimisht duhet të votojë në mënyrën e veçantë. Personalisht nuk kam provuar dhe as do të provoja kurrë të ndikoj në mendimin e dikujt tjetër sikur nuk ka provuar dhe ndikuar askush në mendimin tim. Pra, kjo është arsyeja se pse kërkesa për zyrtarizmin e lidhjes së çifteve të tilla me martesë e bashkësi civile merr dimension tjetër shoqëror, universal pasi që nuk mund të lejohet bashkësia apo të pengohet. Arsyeja pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e moralit publik.

Demi-Murtezi tha se secili shtet flet për vete se cili është standardi i moralit shoqëror derisa tha se për vendin e saj e sheh si të pranueshme martesën e personave e gjinive të kundërta.

“Çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral. Deklaroj votën time kundër në formën se si ka ardhur ky kod civil, prandaj i them po martesës tradicionale, mbrojtës së moralit publik, mbrojtjes së shëndetit publik dhe mbi të gjitha mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve”.
Ajo madje i ka dhënë vetës të drejtë t’i qaset kësaj teme edhe nga ana mjekësore.

“Arsyeja e dytë, pse është më mirë të mos parashihet në kod martesa apo bashkësia e regjistruar mes personave të gjinisë së njëjtë është mbrojtja e shëndetit publik, kjo për shkak të të dhënave të pakontestueshme shkencore se martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Plotësimi i nevojave se*suale në forma të shthurura në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut përbën veprim që dëmton rëndë shëndetin publik, duke u bërë shkak i sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme siç është HIV/AIDS. Duke qenë se në Kuvend kemi shumë deputetë që vijnë nga sfera e shëndetësisë, sfidoj të gjithë me radhë nëse kjo nuk është e vërtetë”.