Deputetja e Kuvendit të Kosovës kërkon rikthimin e masave: Ne i kemi dhënë krah virusit


Nga dita e premte në Kosovë janë konfirmuar mbi 110 raste me Covid-19, numër ky mjaft shqetësues pas lirimit të masave. Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Prishtinës janë vatrat me numrin më të madh të deritanishëm me 196, përkatësisht 168 raste.

Për këtë shefi i qeverisë kishte paralajmëruar rikthim të masave, megjithatë ministri i Shëndetësisë të dielën ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi thotë për KosovaPress se në rast të mos respektimit të rekomandimeve të IKShP-së, masat restriktive duhet të rikthehen.

Pasditen e së premtes i pari i ekzekutivit, Avdullah Hoti në një konference për media kishte bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm, meqë sipas tij situata është alarmante. Ai madje kishte paralajmëruar rikthimin të masave.

“Situata është alarmante, nëse nuk vetëdijesohemi për të respektuar strikt udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, ne jemi të detyruar të kthejmë masat që kanë qenë më herët, për të mbrojtur jetën e qytetarit. Unë bëj apel te secili qytetar që të na ndihmojnë ta kalojmë sa më lehtë këtë. Ky rezultat i shkëlqyeshëm që është arritur me institucionet shëndetësore, mos ta gjuajmë poshtë tani me pakujdesinë”, u shpreh Hoti.

Pavarësisht deklaratës së shefit të tij të ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Veç se ai të dielën bëri të ditur se ditëve në vijim do të ketë testime masive.

“Për të gjithë Republikën e Kosovës ne do të tentojmë që mos të kemi rikthim të masave, edhe në logjikën edhe në punën tonë ne nuk do të kemi rikthim të masave. Ne dëshirojmë të ecim para me hapja të reja edhe t’ia mundësojmë edhe qytetarëve të vendit aktivitetet e tyre sidomos në këtë pjesën verore. Ju e dini që tash mërgata është në vlugun më të madh të ardhjes së tyre, qoftë përmes rrjeteve tokësore, edhe tash duhet të shohim mundësitë edhe përmes asaj ajrore. Ngritja e kapaciteteve do të ndodhë në ditët në vijim. Dje e kemi pasur një mobilizim të pamohueshëm të të gjitha inspektorateve”, u shpreh ai.

Numrin e madh të rasteve ditëve të fundit me koronavirus, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e sheh me shqetësim, meqë sipas Albena Reshitajt, Kosovës i duhet më së paku numër aq i madh i rasteve të prekur nga kjo pandemi.

hqetësim për numrin e të infektuarve me Covid-19 ditëve të fundit, dhe paralajmërim për një rrezik të mundshëm të rritjes së numrit të të infektuarve dhe shqetësimi im qëndron edhe në mundësitë apo kapaciteteve e mangëta që i kemi si institucione shëndetësore në vend për një fluks të ri të rritur apo për përkeqësim të situatës të pacientëve që infektohen me Covid-19”, tha Reshitaj.

Reshitaj për KosovaPress tha se nevojitet një vigjilencë më e madhe për të monitoruar të gjitha institucionet publike e private. Në rast se rekomandimet e IKShP-së nuk gjejnë zbatim, ajo konsideron rikthimin e masave.

“U bëj thirrje institucioneve qendrore në respektim të masave të rekomanduara nga IKSHP, përndryshe nëse nuk do të ketë një respektim të tillë, do të duhet të rishikohet një plan i rikthimit të masave. Sepse ne ka muaj që po themi që të mos i japim virusit këmbë, ne i kemi dhënë krahë virusit. Dhe është shqetësuese sepse mund të kemi pasoja që nuk e di nëse do të arrijmë si shtet t’i përballojmë”, tha Reshitaj.

Reshitaj ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ftojnë ministrin e Shëndetësisë për raportim në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për të parë se si po menaxhohet kjo gjendje nga ky dikaster.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë, të cilat kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19. Deri më tani janë konfirmuar 1437 raste, prej tyre 928 janë shëruar.