Deputeti shqiptar: Koronavirusi që më ra mua, mos i rëntë askujt


I shtrirë në krevat, i vetëm në dhomë, deputeti Adriatik Alimadhi ka gjetur forcën dhe të flasë për mediat.

Gjendja e tij tashmë është e mirë, koronavirusin e kaloi, por i shkaktoi probleme të shumta në mushkri, që e kanë detyruar të qëndrojë për 40 ditë në spital.

Ai ka vetëm një urim: “Koronavirusi që i ra atij, mos i rëntë asnjë shqiptari…teksa këmbëngulë që duhet të respektohen masat”.

“Jam më mirë, duke kërkuar jetën. 40 ditë sot bëj në spital. Si ky rast nuk më ka ndodhur më para, shumë e çuditshme, gjendja e trupit tim ka qenë e mirë fizikisht, kam dashur ta përballojë, por në momentin që ai preku mushkërit, unë kam dashur që ta luftojë, që ai të mos depërtonte, po ai kërkonte që të depërtonte në organet e mia deri sa më vuri përpara. Mesazhi im është që, këshillat apo vendimet që vijnë nga institucione duhen respektuar, duhet bërë kujdes me shëndetin.

COVID-i që më ra mua për pjesë mos i raftë asnjë shqiptari, asnjë njeriu në botë. Kam menduar edhe ngarkesën time psikologjike në këtë kohë. Duke qenë edhe si rast i parë publik, tashmë e kam menduar se nëse do të ndahesha nga jeta, nuk do të ishte mirë edhe për personin tim, megjithatë është një mesazh i qartë për të gjithë shqiptarët të bëjnë kujdes, të ruajnë prindërit e tyre, të ruajnë familjet, të zbatojnë rregullat, derisa të dali një ilaç për të luftuar virusin”, tha ai per Report.