Deputeti i Shqipërisë: Për Kosovën jam i pari që marr armët për të luftuar po të jetë nevoja

Deputeti i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, Asllan Dogjani në një replikë për kundërshtarin e tij politik Taulant Balla në lidhje me situatën në Veri të Kosovës ka deklaruar se është i gatshëm të marrë armët për të luftuar nëse është e nevojshme. Ashtu sikurse në fillim të seancës plenare, deputeti përsëriti se Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të dënojë dhunën e ushtruar nga ana e grupeve kriminale në veri të Kosovës duke iu referuar këtu rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga ata serbë.

Nëse do jetë nevoja, unë jam i pari që marr armët. Ne kuksianët i kemi marrë armët gjatë luftës së Kosovës ku janë vrarë disa të rinj tanët. Kemi pritur mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Po zotëri, unë e marr armën për të luftuar për Kosovën.

Unë kam kërkuar të dalim me rezolutë për të dënuar dhunën e ushtruar nga paramilitarët serbë ndaj zyrtarëve të Kosovës. Duhet të bëjmë një përpjekje dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Nuk po analizojmë qëndrimin e Albin Kurtit por kërkojmë që kryeministri ynë mos të bëjë platforma paçavurre. Prandaj të dalim me një rezolutë të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale”- tha Dogjani.

Në fillim të seancës Dogjani nuk u la të fliste nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e për pasojë, ai filloi të fliste nga vendi, por pa mikrofon.

“A e dini që atje po vriten njerëz? Unë kam kërkuar në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim, janë marrë 3 policë peng në Kosovë, kemi një kryeministër që sillet si shefi i OKB-së. Të vijë këtu në Kuvend dhe të japë llogari për draftin që ka dërguar në BE dhe SHBA për konfliktin në Kosovë. Është e turpshme që Kuvendi nuk ka pasur asnjë qëndrim për situatën në Kosovë, deri në fund të kësaj seance duhet të dalim patjetër me një qëndrim” .

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kjo opozitë nuk ja do të mirën Kosovën, por thjesht po e përdor për retorikë politike të ditës së sotme.

“Propozimi ishte të kërkoje debat për situatën në veri të Kosovës. Keqardhje që kemi në sallë ende politikanë që frymëzohen nga të tjerë syresh që sapo hynë dhe që një gjë të gjithë e dimë, as nuk duan t’ia dinë për Kosovën, Shqipërinë, por i duan për tu stërhumbur përsëri këtu mes nesh. Për debatin politik të ditës. Për ta përdorur Kosovën tonë të dashur mish për top, për të gjuajtur kryeministrin, Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë dyshim, të paktën sa kohë kemi qenë ne në qeverisje dhe sa kohë do jemi në qeverisje është gjithmonë pranë popullit të Kosovës, pranë interesave të Kosovës. Jemi vend anëtar i organizatës euroatlantike, falë asaj organizate që u bombardua për afro dy muaj Beogradi, Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë sovran të pavarur. Shqipëria sot, doni apo jo anti amerikanët, duhet të jetë në një linjë me organizatën euroatlantike. Thua ky do marrë armët dhe do përballet atje. Kosova, populli i Kosovës ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipërinë këtu e ka, por lirinë të mos e harrojmë kurrë që e arritëm në aleancë me SHBA, Britaninë, BE dhe duhet ta vazhdojmë të konsolidojmë”, tha Balla.