Deputeti i PDK-së: Qeveria Kurti e suspendoi komandantin e Njësive Speciale

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, ka reaguar pas suspendimit të komandantit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri. Suspendimi i Gërgurit erdhi pasi që i njëjti sipas drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, kishte marrë pjesë në një “aheng” të ndodhur të shtunën nën shoqërimin e vëllait të presidentit Thaçi dhe të disa personave të tjerë.Hoxha ka shkruar se në suspendimin e Gërgurit ka gisht Qeveria Kurti.

“Ofansiva e Kurtit në policinë e Kosovës për ta përgatitur terrenin për destabilizimin e vendit!

Qeveria në ikje është duke vazhduar operacionin e saj me largime e shkarkime të njerëzve nga puna në të gjitha institucionet e vendit edhe aty ku kjo qeverisje nuk gjen arsye serioze për të larguar dikë nga puna, asaj i mjaftojnë edhe arsyet më banale duke e shikuar kush me këndë është fotografuar apo në cilin aheng familjar ka marr pjesë”, ka shkruar deputeti i PDK-së.

Ai tutje ka shkruar se personat me pozita publike kanë të drejtë të marrin pjesë nëpër ahengje dhe të fotografohen me njerëz.

“Ne edhe pse mbajmë pozita publike në radhë tē parë jemi qenie njerëzore, kemi familje, miq dhe shokë, marrim pjesë edhe në ahengje të ndryshme familjare dhe fotografohemi me njerëzit, kjo është krejt normale dhe ndodh në çdo shoqëri demokratike”, ka shkruar tutje Hoxha.

Madje Hoxha ka thënë se Qeveria Kurti ka nisur operacionin siç e ka quajtur ai të shkarkimeve në Polici.

“Sot operacionin e shkarkimeve ky pushtet e paska orientuar tek Policia e Kosovës duke e suspenduar Komandantin e Njësive Speciale Amir Gërguri i cili është ekspert i jashtëzakonshëm i mbrojtjes dhe sigurisë publike. Me Amirin dhe profesionalizmin e tij krenohemi të gjithë!”, ka shkruar tutje, Hoxha.

Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe protestat e LVV-së dhe dhunën, sipas tij, të ushtruar ndaj zyrtarëve policorë në të kaluarën.

“Sigurisht që Kryeministrit në ikje Albin Kurti dhe LVV-se nuk i ka mjaftuar dhuna që ka ushtruar në vazhdimësi ndaj policeve tonë, duke i gjuajtur ata me objekte të ndryshme të rrezikshme, shishe me ngjyra, koktej molotovi dhe duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore, por tani tenton që përmes veprimeve jo ligjore t’i dëmtoj ata edhe në karrierën profesionale. Albin nuk mbahet pushteti me shkarkime e dhunë!”, ka përfunduar postimin Hoxha.

Shefi i Njësive Speciale, Amir Gërguri, dhe të U.D. të drejtorit të Burgut të Dyzit, Burim Buleshkaj, janë suspenduar nën arsyetimin se kanë marrë pjesë të shtunën në një aktivitet dhe kanë thyer masat të cilat janë vendosur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Kosovë. Në një fotografi të publikuar shihen Gërguri, Buleshkaj e vëllai i presidentit Thaçi deri sa janë në natyrë së bashku me disa persona të tjerë deri sa po pinin pije alkoolike.