Deputeti i PDK-së ia kërkon dorëheqjen Albin Kurtit, ky ia kthen një përgjigje interesante

Kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e opozitës janë përplasur në seancën e Kuvendit ku po zhvillohet debati për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Deputetët opozitarë kanë kritikuar ashpër Kurtin për vendimin e tij që të hiqet taksa 100 për qind dhe dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Insajderi.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, pikërisht për dëmtimin e raporteve të Kosovës me ShBA-në, ka kërkuar nga Albin Kurti që të jap dorëheqje qysh sot.

“Nuk keni mandat t’i dëmtoni raportet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj ju ftoj që sot menjëherë të jepni dorëheqje, sepse nesër do të jetë vonë. Sepse dëmet që i shkaktoni ju janë të pariparueshme. Tani populli e ka kuptuar që jeni një demagog dhe mashtrues. Fillimisht ata i mashtruat me kauza të rrejshme, përmes të cilave ua keni vjedhur shpresën për të kaluar të vjedhja e buxhetit. Prandaj dorëhiqu që të ruhet partneriteti me SHBA-të, NATO-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar”, tha Haxhiu, raporton Insajderi.

Por, deputeti Haxhiu ka marr përgjigje nga kryeministri Albin Kurti. Kreu i ekzekutivit i ka thënë Haxhiut, se nuk ka kryeministër, as ai, që i prish raportet e thella mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ne konsiderojmë që SHBA-të janë një aleat dhe partner i pazëvendësueshëm dhe konsiuderojmë aq të thella e të gjëra e të fuqishme janë lidhjet tona me SHBA-të sa që nuk ka kryeministër që mund t’i rrënojë siq po pretendoni ju. Pra, nuk mund të ekzistoj asnjë kryeministër, pra as unë që mund të na i rrënojë raportet tona me SHBA-të, e para”.

“E dyta, është gabim në politikan e jashtme që ne të bëjmë lojën e rrezikshme të kundërshjtimit të BE-së e të përqafimit të SHBA-së. Ata me gjithat janë bashkë. Dallime ka edhe brenda partive, e lëre më i ndanë një oqean. Mirëpo, ata janë bashkë, dhe është gabim të thuhet Uashingotni i mirë e Brukseli i keq, të dy janë të mirë, tha Kurti.

Ndërsa, Kurti ka pasur një përgjigje interesante rreth akuzave të Haxhiut se ai i ka mashtruar qytetarët.

“Çështja e manipulimit dhe mashtrimit. Nevojitet asgjë më pak se një mashtrues i dështuar që tek unë të shihet si mashtrues i suksesshëm. Suksesi im nuk vjen nga mashtrimi, duhet të jesh vet mashtrues i dështuar që të duket ty se suksesi vjen nga mashtrimi im, vjen nga parimi. Pra, më shumë flet për pikëvështrimin e juaj se sa për qenien time dhe pa e kuptuar këtë nuk mund ta kuptoni as pse i keni humbur zgjedhjet”, theksoi Kurti.

Haxhiu ka vazhduar replikën me Kurtin, duke i thënë atij se i dëshrion aleancë të mirë me djalin e Sorosit, Miroslav Lajçakun dhe Borellin.