Deputeti i AAK’së fajëson komunitetin LGBTI për mosnjohjen e Kosovës nga disa shtete të botës


Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shkumbin Demaliaj beson se ekzistenca e komunitetit LGBTI në Kosovë është fajtore për mosnjohjen e Kosovës nga disa shtete të botës.

Pa poseduar asnjë informacion zyrtar por duke cituar biseda të dëgjuara, Demaliaj ka deklaruar me bindje se shteti i Vatikanit dhe disa republika islamike nuk e njohin Kosovën për fajin e komunitetit LGBTI.

“Nganjëherë e them se shumë vende që kanë ndikim fetar dhe të besimit monoteist, sot Republikën e Kosovës nuk e kanë njohur për shkak të pjesëmarrjes së komunitetit LGBTI në ligjet dhe Kushtetutën tonë”, ka deklaruar Demaliaj të marten në emisionin Natën me Fatmir Spahiun.

Bindjet e tij, deputeti i AAK-së nuk i ka argumentuar me asnjë fakt.

“Nuk e kam dëgjuar ndonjë zyrtarisht kështu, por… për Vatikanin për shembull, si shtet që thotë se për shkak të legjislacionit të tyre janë pak skeptik. Por, edhe shumë vende të tjera që janë vende islamike besoj se për këtë çështje [nuk na kanë njohur]”, ka deklaruar Demaliaj.

Demaliaj ka deklaruar se komuniteti LGBTI i ka të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për detyrat e tij prej deputeti të cilat parashohin garantimin e funksionimit të ligjeve në Kosovë.

“Komuniteti LGBTI i ka të drejtat e tyre të garantuara me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës. Nuk mundem me bisedu diçka për ta, sepse nuk janë forcë prodhuese. Përderisa unë jam besimtar, dhe kur jam besimtar hy në një tjetër sferë. Nuk përafroj diçka me ta, dhe në aspektin fetar është i ndaluar formati i tyre”, ka thënë Demaliaj.

Komuniteti LGBTI vazhdon të jetë njëra nga grupet e diskriminuara të shoqërisë, sado që të drejtat e tyre garantohen me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Të drejtat e LGBTI janë të parapara në kornizën ligjore të BE-së. Kësisoj, në secilin vend anëtar të këtij unioni.