A do ta lëshojë Lëvizjen Besa edhe një deputet tjetër për t’iu bashkuar shumicës parlamentare?! Burimet e mediave tregojnë se kjo ka gjasa të ndodhë së shpejti, por të dy deputetët, Fadil Zendeli dhe Basri Bajrami mohojnë.
“S’ka asnjë shans. Unë jam deputet opozitar i Lëvizjes Besa”, tha deputeti Fadil Zendeli.
“Unë respektoj vendimet e partisë që përfaqësoj. Aspak nuk është e vërtetë se unë mund të veproj jashtë qëndrimeve të Lëvizjes BESA”, theksoi deputeti Basri Bajrami.
Shqetësimi i Besës për ikje të mundshme të deputetëve mund të lexohet edhe në një pjesë e komunikatës së mbrëmshme të lëshuar nga Lëvizja Besa pas mbajtjes së Kryesisë Qendrore.
“I bëjmë apel pushtetit aktual LSDM-BDI që urgjentisht të ndërpresin presionin me të gjitha format e mundshme që po ushtrojnë ndaj deputetëve të Lëvizjes BESA. Për këtë çështje kemi njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar në vend”, thonë nga Lëvizja Besa.
E pyetëm Sekretarin Gjeneral të Besës, Arjanit Hoxhën, nëse këtë shqetësim po e ngrenë nën dyshimin se njëri nga deputetët mund të kthehet tek shumica parlamentare?
“Jo s’kemi asnjë dyshim se deputetët janë deklaruar hapur se mbështesin qëndrimet e partisë. Po presioni në forma të ndryshme që po zhvillohet ndaj deputetëve tanë ka alarmuar edhe faktorin ndërkombëtar”, tha Arjanit Hoxha, sekretar Gjeneral i Lëvizjes Besa.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi duke folur për akuzat e Besës, thotë se përkundrazi, deputetët opozitarë kanë presion nga partitë e tyre.
“Absolutisht jo. I ashtuquajturi “Koalicioni Levica” në fakt është ajo që bënte presion ndaj deputetëve që të mos e shprehin vullnetin dhe bindjet e tyre siç u përshtatet. Ngjarja e Kastriot Rexhepin ishte eklatant, ku vetë deklaroi se ka presione nga partia amë dhe nga bashkëpartiakët e deridjeshëm që të mos votojë sipas bindjeve të tij. Unë nuk besoj se në ato parti politike nuk ka deputetë që nuk duan Maqedonia të anëtarësohet në BE dhe të nisin bisedimet”, tha Artan Grubi nga BDI.
Grubi shprehet i bindur se ditëve në vijim shumicës parlamentare do t’i bashkohen deputetë opozitarë. Aktualisht shumica ka 59 deputetë. Ndonëse ende nuk e ka konfirmuar, pritet që deputeti Kastriot Rexhepi t’i bashkohet maxhorancës. Për këto dhe të tjera ai do të flasë nesër në ClickPlus të TV21. Mosardhja e Kastriot Rexhepit të premten në Kuvend, e shpëtoi Qeverinë “Zaev 2” nga mocioni i mosbesimit të ngritur nga opozita, e cila mbeti vetëm me 60 vota deputetësh. Pasi u kuptua se opozita nuk e ka shumicën, tash gjithnjë e më tepër përflitet se edhe Alternativa me 4 deputetët e saj mund të bëhet pjesë e pushtetit, por zyrtarisht nuk ka asnjë ofertë apo hap konkret publik.