Deputetët në pauzë, kthehen në ora 15:30, Kovaçevski shpalosi programin

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në kuadër të saj, mandatari për formimin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski shpalosi programin e Qeverisë.

Mbajtja e të rinjve në vend, mbështetja e qytetarëve dhe biznesit për të përballur pasojat e shkaktuara nga pandemia Kovid-19, ndihma për qytetarët për t’u ballafaquar me rritjen shok të çmimeve, rritja e pensioneve dhe pagës minimale, janë disa nga pikat në të cilat do të përqëndrohet Qeveria e re sipas Kovaçevskit.

Prioritet, siç tha ai, mbetet kriza energjetike, transmeton TV21.

Pas fjalimit të tij, opozita doli me kritika.

VMRO-DPMNE insiston në zgjedhje parlamentare, pasi siç tha deputeti i saj, Aleksandar Nikollovski kjo nuk është Qeveri e re, por vazhdim i paraprakes dhe se ballafaqimi duhej të ishte në popull.

Ka reaguar edhe opozita shqiptare. Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët e “këshilloi” Kovaçevskin të punojë për rikthimin e besimit në Qeveri, pasi siç tha, kjo i mungon Qeverisë së re e cila në përbërje ka ministra që nuk bartën përgjegjësi për krime dhe dështimet e tyre.

Reaguan nga BDI. Deputetja Arta Bilalli Zendeli tha se ministrat e BDI-së vazhdojnë, pasi morën mbështetje nga populli në zgjedhje lokale./TV21

Sipas propozimit, për kryeministër pritet të zgjidhet Dimitar Kovaçevski, ndërkaq për ministra janë propozuar:

Sllavjanka Petrovska – ministre e Mbrojtjes
Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme
Nikolla Tupançevski – ministër i Drejtësisë
Artan Grubi – ministër për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve
Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme
Fatmir Besimi – ministër i Financave
Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë
Lupço Nikollovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave
Bekim Sali – ministër i Shëndetësisë
Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit dhe Shkencës
Jovana Trençevski – ministre e Punës dhe Politikës Sociale
Goran Milevski – ministër i Vetëqeverisjes Lokale
Bisera Kostadinova Stojçevska – ministre e Kulturës
Admirim Aliti – ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë
Bllagoj Boçvarski – ministër për Transport dhe Lidhje
Naser Nuredini – ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor
Bojan Mariçiq – ministër pa resor – zëvendëskryeministër për çështje evropiane
Sllavica Grkovska – ministër pa resor – zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit
Fatmir Bytyqi – ministër pa resor – zëvendëskryeministër për çështje ekonomike
Xhemail Çupi – ministër pa resor.