Depresioni, në luftë me qetësinë e shpirtit, nuk mjaftohet thjeshtë me fitore!

Nga Besmir Guri, psikolog

Shpirti jeton duke marrë frymë përmes shpresës, besimit, dashurisë, kënaqësisë, humorit, gëzimit, lumturisë… të cilat në një gjendje depresive luftojnë dhëmbë për dhëmbë me njëra-tjetrën se kush ta rrëmbejë ekzistencën.

Depresioni në luftën me qetësinë e shpirtit, nuk mjaftohet thjeshtë me fitore, por edhe nëse e arrin fitoren, vazhdon të shtyhet pa mbarimisht prej oreksit kriminal për ta torturuar atë.

Depresioni ka natyrë kriminale shumë të ashpër, në raste të patrajtuara mundet që të mos ngopet as me torturimin e shpirtit pa marrjen e jetës.

Kur shpirti është i shëndetshëm mund të habitet me arsyetimin e depresionit se, si ka mundësi që të arrijë të marrë jetë, por në rastin kur shpirti është i mbyllur në kthetrat e depresionit të thellë dhe të pa trajtuar, vetëvrasjen e shikon si të vetmen rrugëdalje prej vuajtjes së padurueshme.Depresioni përgjatë krimit që ushtron, i ngjan ligësisë së një vrasësi serial gjakftohtë, që kënaqet me vuajtjen e viktimës së tij deri në dorëzimin përfundimtar.

Mbyllje në vetvete, humbje interesi për gjërat, mungesë totale shprese, dëshpërim i tejskajshëm, humor i rënë, izolim i plotë, janë vetëm disa nga klithmat e shpirtit që thërrasin gjatë kohës që ky vrasës përgatitet për jetë marrje.

O njerëz të mirë që depresioni po ju torturon shpirtin, mos i besoni kurrë fjalëve të tij pasi historikisht depresioni është njohur si vrasës i jetës, por duhet që të mos i bindeni atyre që thotë, pasi zgjidhjet në çdo rast janë pranë teje vetëm se duhet t’i kërkosh.

Nëse nuk ke aspak besim për këtë gjë, dije se nuk je ti që po flet por depresioni yt, ndaj lejoje që së bashku ta ndëshkojmë me trajtim kriminelin që po të vret.