Departamenti amerikan: Shqetësues niveli i korrupsionit në Maqedoni

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, ku janë dhënë vlerësime pozitive dhe negative në disa fusha.

Sipas raportit, korrupsioni mbetet një nga çështjet problematike në vend, derisa ka përparime në sferën e gjyqësorit dhe mediave.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 ka ndërmarrë aktivitete për të hulumtuar, akuzuar dhe të dënuar persona zyrtarë policorë të cilët kanë bërë keqpërdorime, ndërsa autoritetet në vend kanë pasur kontroll efektiv ndaj shërbimeve të sigurimit, por megjithatë ekziston nivel i lartë i korrupsionit”, thuhet në raport.

Një vlerësim negativ është dhënë edhe për gjendjen e rëndë dhe johumane në burgjet e vendit, ku siç nënvizohet nuk është arritur implementimi i standarteve ndërkombëtare dhe plotësimi i kushteve për të burgosurit. Raporti citon Avokatin e Popullit që ka alarmuar shumë parregullësi dhe veprime të paligjshme ndaj të burgosurve.

“Në të shumtën e rasteve, gjykatat i përmbahen ligjeve dhe procedurave për paraburgim. Këtë vit numri i urdhrave për paraburgim ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Në shumicën e rasteve, në kërkesë edhe të Prokurorisë Speciale Publike, gjykata ka caktuar masa parandaluese në vend të paraburgimit për të dyshuarit”, nënvizon raporti.

Nota pozitive janë dhënë për gjykatat dhe qasjen ndaj tyre, ku janë evidentuar përparime dhe gjykime korrekte, por edhe pengesa që duhet evituar siç janë: pavarësia e kufizuar e gjyqësisë, politizimi i organit mbikëqyrës gjyqësor dhe financat e pamjaftueshme janë pengesë e mëtutjeshme për punën dhe efikasitetin e tyre.

Përparim është evidentuar edhe në sferën e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, por sërish ka nuanca të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve. “Ka disa raporte se Qeveria i ka detyruar gazetarët në autocenzurë. Komisioni Evropian, në raportin nga 17 prilli, vëren se nuk ka avancim në mbrojtjen e kushteve të punës të gazetarëve, si rezultat i asaj që ata ende praktikojnë autocenzurë”, thonë nga Departamenti amerikan në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.