Gjykata e Rrethit në Sofje sot e ka dënuar 34-vjeçarin S.B me katër muaj dënim me burg, me kusht nëse në tre vitet e ardhshme nuk kryen vepër tjetër penale, për shkak të komenteve të pahijshme për tragjedinë me autobusin e “Besa Trans” në Bullgari.Siç njofton AIM nga Sofja, kundër S.B ishte ngritur aktakuzë për “nxitje të urrejtjes”.
Sipas aktakuzës, S.B më 23 nëntor të këtij viti, rreth orës 11:00 në një grup në rrjetet sociale, ka shpërndarë përmbajtje me gjuhë të urrejtjes në baza etnike. Ai në përmbajtjen e publikuar ka shpërndarë edhe fotografi të autobusit të djegur në autostradën “Struma”.
S.B nuk ka qenë i dënuar. Ai e ka pranuar fajësinë dhe sipas marrëveshjes së miratuar nga Gjykata e Rrethit në Sofje, atij i është shqiptuar masa e “privimit të lirisë” në kohëzgjatje prej 4 muajsh.
Marrëveshja ka fuqinë e një dënimi efektiv dhe nuk është lëndë ankimimi, njoftoi Prokuroria.