Dënim me kusht për një shkupjan i cili nga urrejtja ka sulmuar një pjesëtar të komunitetit LGBT

Një banor 30-vjeçar i Shkupit është dënuar me kusht pasi pranoi fajësinë për veprën penale “Dhuna në formë të kualifikuar kryer nga urrejtja”, njoftoi Prokuroria Themelore Publike e Shkupit. Sipas vendimit të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, i dënuari F.G. pranoi fajin ashtu siç ishte paraqitur në aktakuzë, duke pranuar se e kishte kryer veprën nga urrejtja ndaj viktimës për shkak të orientimit seksual dhe përkatësisë së tij në komunitetin LGBT. Vepra është e dënueshme sipas nenit 386, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

Dhuna është kryer më 31.08.2022 në sheshin “Skënderbeg” në Shkup gjatë një tubimi publik për solidaritet dhe mbështetje lidhur me dhunën ndaj një vajze 11-vjeçare nga Kosova. Ndërsa të pranishmit prisnin të fillonte tubimi, F.G. iu afrua viktimës, filloi ta ofendonte dhe më pas e sulmoi fizikisht duke e goditur me shkelma dhe grushte në kokë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime trupore. Me aktin e tij, ai shkaktoi ndjenjë pasigurie dhe frike tek të pranishmit.

Gjykata Themelore Penale e Shkupit e shpalli F.G. fajtor dhe i dha një dënim me kusht prej një viti burg, i cili nuk do të zbatohet nëse ai nuk kryen një vepër të re penale brenda tre viteve. Gjithashtu, iu caktua një masë alternative – mbikëqyrje e mbrojtur për dy vjet, e cila do të monitorohet nga zyra e provës pranë gjykatës. Nëse nuk i përmbush detyrimet e caktuara, gjykata do të anulojë dënimin me kusht.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka emëruar një prokuror të veçantë për të ndjekur rastet e veprave penale të kryera nga urrejtja dhe diskriminimi.