Den Donçev thirret për bisedë në polici

Ministria për Punë të Brendshme konfirmon për TV21 se ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, është thirrur për t’u marrë në pyetje në polici.

“D.D ishte ftuar për bisedë në Stacionin Policor Karposh dhe është paraqitur vetë në mënyrë të rregullt. Pas përfundimit të bisedës, është larguar” thonë nga MPB.

Nga Prokuroria Publike sqarojnë se nëse MPB-ja vërteton elementë për vepër penale, do të parashtrojë kërkesën e nevojshme në Prokurori, pas çka organi i akuzës do të ndërmarrë veprime të mëtutjeshme për zbardhje të rastit.

Marrja në pyetje e Donçevit vjen disa ditë pasi në internet u publikuan audio dhe video materiale që ngrenë dyshime për punë joligjore nga ana e ish-drejtorit të Fondit Shëndetësor, edhe pse ai vetë i ka hedhur poshtë këto akuza duke e shpjeguar versionin e tij për rastin.