Den Donçev demanton “bombat” e publikuara: Janë bërë me qëllim që të më degradojnë

Ish-drejtori i Fondit Shëndetësor, Den Donçev, përgënjeshtron incizimet e publikuara këto ditë ku përveç tre audio incizimeve, është publikuar edhe një video incizim në të cilën shihet se si ai bisedon me një person dhe në atë moment Zaevit gjoja i japin para.

Demantin Donçev e ka bërë përmes një shkrimi që e ka nisur në adresat elektronike të mediumeve.

“Me këmbëngulje dhe në tërësi demantoj konktekstin e incizimeve audio dhe video për mua. Hedh poshtë të gjitha insinuatat dhe manipulimet që kanë për qëllim të më degradojnë politikisht” shkruan Donçev.

Ai më tej shpjegon kontekstin e bisedave që dëgjohen në incizime, të cilat sipas Donçevit, janë nxjerrë nga konteksti.

“Për regjistrimin e parë të publikuar, gjithçka kisha për të thënë për rastin Diamed, e paraqita publikisht dhe zyrtarisht si drejtor i Fondit Shëndetësor. Çështja peshon rreth 200 milion euro. Të mos harrojmë se, siç dihet për publikun, 9 milion euro janë ngrirë në një bankë në Monako, dhe 2.5 milion euro në Maqedoni, në emër të ish-“pronarit” Vera Ivanova” thotë Donçev, duke kërkuar që për rikujtim të shikohet kjo press konferencë e mbajtur nga ai në shtator 2019.

Nga këtu, shkruan Donçev, duhet të bëhet e qartë pse ai është nën sulme të vazhdueshme nga qendra të caktuara të ndikimit. “Pyetja kryesore që lind nga kjo është arsyeja pse shteti ka dhënë një koncesion kaq të dëmshëm përmes të cilit janë derdhur 12 milion euro në xhepa privat?” thotë ish-drejtori i Fondit.

“Kam pasur shumë takime dhe biseda rreth këtij rasti, ndonjëherë zyrtare, ndonjëherë këshilluese dhe nganjëherë joformale. Qëllimi ka qenë gjithmonë të arrihet mënyra më e mirë dhe më të përshtatshme për të mbrojtur interesat e shtetit, por jo për të rrezikuar shërbimet e pacientëve që kanë nevojë për dializë. Pikërisht në të dy regjistrimet, diskutohen udhëzimet e mundshme strategjike për aktivitetin e dializës pas shitjes së Diamed Maqedonisë. Qëndrimi im ka qenë gjithmonë se institucionet shtetërore janë organet e vetme përgjegjëse që do të monitorojnë këtë çështje” shkruan Den Donçev.

Më tej shkruan se në audio incizimin e dytë dhe videon e tretë të publikuara, sipas Donçevit, janë të një natyre private dhe nuk kanë lidhje me kryerjen e funksionit tim publik.

“Siç është raportuar tashmë në disa media, bëhet fjalë për marrëdhënie biznesi privat midis një shoku tim të gjatë, i cili është pronar (me aksione më të vogla) në një kompani satelitore maqedonase dhe një kompani nga Serbia si pronar (me aksione më të mëdha). Unë u informova nga pronari me aksione më të vogla se ai kishte paraqitur një ankesë në Policinë Financiare dhe denoncim në SPB Shkup, njësinë për krimin ekonomik dhe kompjuterik, dhe gjithashtu kishte kërkuar një rishikim gjyqësor të funksionimit të kompanisë satelit. Pas një periudhe të këtyre denoncimeve, përfaqësuesit e kapitalit aksionar nga Serbia filluan kontakte me aksionarin e vogël për të gjetur një zgjidhje për problemet afatgjata. Meqenëse pronari me aksione më të vogla ishte sëmurë rëndë në atë kohë dhe iu nënshtrua operacionit në Vjenë, ai më kërkoi, si mik, të ndihmoja atë dhe familjen e tij në ato kohë të vështira, në mënyrë që të gjente një zgjidhje të pranueshme reciprokisht. Biseda e publikuar është në atë kontekst. Një zgjidhje e tillë nuk është arritur dhe për dijeninë time kontesti vazhdon ende” shkruan Donçev.

Në demantin e tij po ashtu thotë se nuk ka pasur ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me institucionet e lartpërmendura lidhur me këtë çështje. Sipas tij, përmendja e atyre institucioneve në bisedën e publikuar bazohet në informacionin që i ka marrë nga pronari me aksione më të vogla bazuar në denoncimit të tij.

“Pas përmirësimit të shëndetit të aksionarit me aksione më të vogla, unë i ndërpreva të gjitha kontaktet dhe ai vazhdoi të kërkojë të drejtat e tij përmes institucioneve dhe sistemit. Videoja e publikuar nga kujtesa ime është prej shumë kohësh dhe bëhet fjalë për incizim me karakter privat. Sigurisht, mbetet që më tej institucionet shtetërore të bëjnë punën e tyre” përfundon Donçev shkrimin e tij.