Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov në Facebook ka publikuar fotografi të fasadës së dëmtuar të godinës së MEPSO-s të dëmtuar nga era e mbrëmshme. Godina është pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Shilegov paralajmëroi se pas zgjedhjeve do të kërkohet zgjidhje konkrete për ndërtesat e këtij projekti që sipas tij paraqesin “projekte kriminele dhe jotësigurta për jetët e njerëzve”. Fasada e re e MEPSO-s me shtylla të stilit antik dhe çati të re kishte kushtuar 11 milion euro. Kontraktori i fasadës ishte kompania “Beton Shtip” ndërsa autori i projektit është “Naimar Engineering-Shkup”.