Demiri: Ata që nisin fushata kundër vaksinimit do të ndëshkohen, njejtë edhe shoqatat që nxisin mos vaksinimin do të hetohen

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, ka nënshkruar sot një deklaratë të përbashkët me Odën e Mjekëve në mbështetje të vaksinimit, me qëllim forcimin e mbështetjes institucionale të procesit të vaksinimit dhe zbatimin e vazhdueshëm të aktiviteteve të përbashkëta për promovimin e tij.

Në prezantimin e tij ai theksoi se jemi dëshmitarë të publikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformatave në çdo segment të shoqërisë, por dezinformata, kur bëhet fjalë për shëndetin, mund të jetë kërcënuese për jetën.

“Prandaj, është e nevojshme të punohet së bashku për të ngritur nivelin e edukimit shëndetësor tek popullata, duke pasur parasysh se shumë sëmundje parandalohen pikërisht për shkak të vaksinimit. Epidemia e kollës së madhe, me të cilën për fat të keq po përballemi në këto momente, vjen si pasojë e mos vaksinimit të fëmijëve dhe ne mund ta luftojmë duke imunizuar fëmijët tanë”, tha Demiri.

Ai kujtoi se në periudhën 2018-2019, kur u regjistrua epidemia e fruthit për shkak të rënies së mbulimit me vaksinim prej 74 për qind, vetëm në atë vit fëmijëve deri në 14 vjeç u janë dhënë 41.623 doza vaksinash dhe si pasojë , u parandalua përhapja e mëtejshme e epidemisë .

“Në drejtim të sensibilizimit dhe afirmimit të imunizimit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me partnerët e OKB-së, zhvilluan disa fushata për të informuar prindërit për rëndësinë e vaksinimit. Nga dy fushatat e realizuara “Derë më derë”, mbi pesë mijë fëmijë janë vaksinuar apo caktuar termine vaksinimi dhe janë shpërndarë më shumë se 13 mijë materiale edukative si për vaksinimin rutinë ashtu edhe për atë kundër COVID. Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, ne formojmë një front më të gjerë për të mbështetur vaksinimin, për të ruajtur vazhdimësinë e aktiviteteve dhe për të theksuar rëndësinë e imunizimit. Synimi ynë i përbashkët është mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të qytetarëve dhe vetëm së bashku me drejtorinë e shëndetësisë mund ta realizojmë këtë qëllim”, tha Demiri.