Analistët: Haradinaj nuk mund të mburret me çështjen e Demarkacionit
Deklarata e Anëtarit të Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, se “Ramush Haradinaj e kreu Demarkacionin derisa Limaj ishte vetëm argat”, ka zgjuar debate dhe polemika tek njohësit e çështjeve politike dhe profile të ndryshme në vend.
Ditë më parë Nitaj ia dedikoi të gjithë meritat për Demarkacionin, Kryeministrit Haradainaj, duke ironizuar Fatmir Limaj se gjoja ai s’është asgjë tjetër përveçse një argat.
Mirëpo njohës të çështjeve politike vlerësojnë, se në këtë rast nuk ka vend fare për mburrje për Ramush Haradinajn dhe zyrtarët e tij.
Kjo pasi, dihet shumë mirë, që Haradinaj, vazhdimisht kishte premtuar që kufirin ta kthejë në kullë e Çakorr, e në realitet ndodhi e kundërta, duke u votuar kështu versionin e njëjtë të Murat Mehës.
Sipas tyre, vetëlavdërimi është një ves i njerëzve të lig, respektivisht i atyre që dështojnë, pasi qeveria që udhëheqë Haradinaj përveç gënjeshtrave dhe propagandës asgjë të mirë nuk ka bërë për vendin.
Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj në lidhje me këtë, ka thënë se të tillët jo vetëm që e tradhtuan premtimin se do ta kthenin kufirin në Kullë e Çakorr, por ata madje edhe po rrahin gjoks se kush e “kreu” e kush ishte “argat” i kësaj pabesie.
Kurse, publicisti Faton Abdullahu, ka thënë se gjasat që të ndryshojë kufiri me Malin e Zi, janë inekzistente.
Sajimi i kauzës për Demarkacionin
Madje, sipas tij, jo vetëm që Kryeministri aktual që nuk do të ketë të drejtë të mburret me kalimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës, por ky dështim do të jetë një epitaf i pashkruar, por qartë i kuptueshëm dhe gjithmonë i lexueshëm, në biografinë e jetës së tij politike.
“Në të vërtetë diçka e tillë do të mbetet gjatë, mbase gjithmonë, në historinë e mendimit dhe kulturës politike të Kosovës, si shembull i mashtrimit të sofistikuar, gërshetuar me elementë mafioz e “patriotik” për të ardhur në pushtet. Por, mua nuk më brengosin përpjekjet partiake për të nxjerrë përfitime nga kalimi i demarkacionit, ajo që më brengosë është se ata që kanë qenë në gjendje të sajojnë gjëra të tilla dhe më pas të gënjejnë ashtu paskrupullt, do të jenë në gjendje të bëjnë prapë të këqija të njëjta dhe prapë të përpiqen që për dështime të tilla të ja lënë fajin tjetërkujt e meritat ti servojnë për veten e tyre. Ne kemi përpara çështje kruciale për fatin e Kosovës për ti zgjidhur. Çështja e Ushtrisë, Gjykatës Speciale, Dialogut me Serbinë, e të tjera. Kur ta mendosh se me këto çështje do të merren pushtetarët aktual, po i njohëm ata si duhet, nuk do të na merrte gjumi natën. Prandaj, opozita duhet të punoj shumë gjithë ditën, për ta nxjerrë Kosovën nga mynxyra aktuale”, ka thënë publicisti Abdullahu.
Mehmeti: Është e habitshme nënshtrimi i opozitës përballë kësaj qeverie
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se vetëlavdërimi është ves i njerëzve të lig, respektivisht i atyre që dështojnë.
Sipas tij, kjo madje edhe i bënë sa qesharak, aq edhe të mjerë përballë realitetit, pasi Ramushi miratoi demarkacionin ashtu siç ishte, pa ndryshuar asnjë presje.
“Muharrem Nitaj është shndërruar në zërin e propagandës së Qeverisë, zëdhënës i së keqes dhe rrjedhimisht është rreshtuar në anën e kundërt të historisë. Në këtë sens asgjë nuk është për tu çuditur, derisa në qeveri janë njerëz servilë, pa asnjë meritë për Kosovën. Propaganda e Muharrem Nitaj më ngjan me atë të kohës së luftës, ku regjimi i Millosheviqit paraqiste vetën si viktimë përballë NATO-s, ndërsa shqiptarët i quante terroristë. Por, propaganda është e njëjtë si në luftë si tani. Pra bëhet për të shkrumbuar realitetin për hir të interesave të tyre klanore. Kjo qeveri është dështim, dhe Demarkacioni është medalja e turpit që Ramushi me stafin e tij i kanë vënë vetës. Është e habitshme nënshtrimi i opozitës përballë kësaj qeverie, ndaj të cilës duhet protestuar dhe për të larguar nga pushteti. Pra, kjo qeveri përveç gënjeshtrave dhe propagandës asgjë të mirë nuk ka bërë për vendin”, ka thënë analisti politik Mehmeti.
Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, konsideron se deklarata e Nitaj se demarkacionin e kreu Ramush Haradinaj, është një tentim për të hedhur hi syve opinionit dhe si i ngjanë sajë anekdotës me bretkosën e cila kërkon të mbathej me potkoj të kalit.
Demarkacionin e kryen të gjitha partitë politike me përjashtim të VV-së
Sipas tij, Nitaj duhet ta kuptoj se gjithë kauza e demarkacionit që e ushqeu z. Haradinaj sa ishte ne opozitë gjoja me humbje të territorit të Kosovës, ishte një kauzë e “shpifur” dhe me ardhjen në pushtet të Haradinajt, ai e ndryshoi këtë kurs duke u bërë pjese e votimit të demarkacionit.
“Nuk mund ta marr si kapital të vetin një çështje aq të rëndësishme dhe aq të madhe një parti provinciale, siç është AAK-ja. Demarkacionin e kryen të gjitha partitë politike me përjashtim të VV-së, pra sidomos dy partitë e mëdha LDK-ja dhe PDK-ja, sipas versionit të parë të dala nga komisioni Meha, pa asnjë ndryshim. Andaj, këto mburrje të Nitaj janë mburrje të një axhamie në politikë që nuk merr vesh se kush janë akterët kryesor politik në Kosovë, e që AAK-ja e tij as që llogaritet në këta akter pa marrë parasysh se fati e solli në këtë pozicion në të cilën është sot”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.
Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka deklaruar se transformimi i Haradinajt prej një idealizmi fiktiv në një pragmatizëm politik, është një “luftë” për mbajtje e ruajtje të pushtetit me çdo kusht.
Çakordim i thelluar brenda koalicionit qeverisës
Sipas tij, këto deklarata të zyrtarëve të partive politike nuk janë “luftë” konceptuale e programatike, por” luftë” për ta shfajësuar vetën nga kauza që i bashkonte opozitën e asaj kohe.
“Këto fërkime të tilla me deklarata të çakorduara në mes partnerëve të koalicionit më shumë janë një hedhje hi në sy të qytetarëve se sa një mburrje reale për një version të Demarkacionit që ishte kritikuar po nga të njëjtit. Deklarata të tilla në mes zyrtarëve të partive politike të koalicionit qeverisës tregojnë më së miri për seriozitetin dhe vullnetin tyre për punë, por njëkohësisht tregon një çakordim të thelluar brenda koalicionit qeverisës, e jo një qeverisje të integruar në mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka vlerësuar se veprimet e Haradinajt, që nga marrja e pozitës së Kryeministrit të vendit, e posaçërisht veprimi për votimin e versionit të Murat Mehës për Demarkacionin, janë fyerje për qytetarët e Republikës së Kosovës e veçanërisht për votuesit e AAK-së.
“Gjykoj se këto veprime të pamatura të zotit Haradinaj do t’i kthehen bumerang kurdo që mbahen zgjedhjet, por humbjet për Republikën e Kosovës do ta kenë koston e jashtëzakonshme”, është shprehur analisti politik Ahmeti.
Ndryshe, deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me këtë çështje.