Del parashikimi: Ja kur përfundon pandemia e koronavirusit!

E gjithë bota po izolohet; vende që dikur gëlonin nga njerëzit, sot janë kthyer në qytete fantazmë me rrugë të boshatisura.

Kjo është sot një përgjigje e paprecedentë ndaj një sëmundjeje, por kur do t`i vijë fundi pandemisë dhe jeta të rikthehet në normalitet?
Kryeministri britanik Boris Johnson beson se vala e koronavirusit në Britaninë e Madhe do të tërhiqet brenda 12 javësh.

Por edhe nëse rastet nisin e bien vërtet pas tre muajsh, do të jemi sërish larg fundit të sëmundjes, thotë BBC. Që virusi të zhduket plotësisht mund të duhet një kohë e gjatë, ndoshta vite. Për këtë arsye, shteteve do t`i nevojitet një strategji “daljeje”, një mënyrë për të hequr kufizimet. Situata e krijuar, vazhdon gjigandi mediatik, nuk funksionon dot në periudhën afatgjatë pasi dëmi ekonomik dhe ai social do të ishte katastrofik.

Parashikimet nuk janë shumë optimiste: edhe nëse një vend e mposht virusin, ekziston gjithmonë rreziku i një rikthimi të tij në momentin kur hiqen kufizimet. Ndaj nuk ka për të qenë e lehtë gjetja e një strategjie “ të daljes”. Tre janë deri tani mënyrat më të mundshme për të shpëtuar nga ky lëmsh: Vaksinimi i popullatës; mundësia që një numër I mjaftueshëm njerëzit të krijojnë imunitet përmes infektimit ose ndryshimi i përhershëm i sjelljes në një shoqëri, dhe kjo e fundit, është mjaft e vështirë./Top Channel