Del në Vetting prokurori Gentian Osmani, por… probleme me deklarimin e pasurisë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtuar ritmin e punës, teksa sot ka dhënë vendimet duke përjashtuar nga sistemi i drejtësisë prokurorin e Tiranës, Dritan Rreshka dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Artan Broci.

KPK-ja konfirmoi si të përshtatshëm për të vijuar në detyrë, gjyqtarin dhe kandidatin për në Kolegjin e Lartë Gjyqësor, Medi Bici, ndërsa aktualisht ka filluar seanca dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së krimeve të Rënda, Gentian Osmanin.

Nga ana tjetër, KPK-ja konstatoi se prokurori Osmani nuk disponon dokumente për një hua, të cilën pretendon se e ka marrë nga kushurinjtë e tij në Itali.

Gjithashtu, nga analiza financiare, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar pamundësi për të shlyer këstet e një banese të blerë nga ana e prokurorit Osmani.

Vlen të përmendet se Drejtoria e Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara (DSIK), nëpërmjet raportit të saj, ka konfirmuar përshtatshhmërinë e Gentian Osmanit për të vijuar detyrën.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se vendimi për konfirmimin ose jo në detyrë, të prokurorit Gentian Osmani, do të jepet më datë 2 Gusht, ora 12:15.