Deksametazonin po përdoret edhe në Klinikën Infektive në Shkup! Stevanoviq: Kemi pasur përfitim

Medikamenti deksametazon, për të cilin shkencëtarët e Oksfordit dje dolën me hulumtim se është dëshmuar si mjaft efektiv tek pacientët me pasqyrë klinike më të rëndë nga Kovid-19, përdoret edhe në Klinikën Infektive dhe është dëshmuar si i dobishëm.

“Në fillim, kolegët tanë të shteteve të tjera, të cilët para nesh u ballafaquan me koronavirusin, kanë pohuar se jo vetëm që deksametazoni nuk është i dobishëm por edhe mund t’i dëmtojë pacientët. Por, ne në Klinikën Infektive, duke e vendosur mjekimin intensiv, aplikimin e tij e pamë si shumë të dobishëm, nënkuptohet në kombinim me të gjitha terapitë e tjera, para së gjithash antibiotikë. Ne e kemi përdorur këtë periudhë dhe konstatuam se në momentin e duhur kur duhet ta japim, dhe kur e kemi dhënë kemi pasur përfitim nga medikamenti”, thotë Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Infektive dhe Gjendjeve Febrile.

Ajo potencoi se shkencëtarët kanë konstatuar se ky ilaç është i dobishëm, në bazë të përvojës së marrë nga trajtimi i një numri të madh të pacientëve prej institucioneve të ndryshme, analizuar në aspektin shkencor, të përpunuar me statistikë dhe të referuara për të dobishme.

Dr.Stevanoviq theksoi se në Klinikën Infektive në mënyrë serioze i ndjekin trendet në mjekimin e Kovid-19 dhe rekomandimet të cilat i marrin nga e gjithë bota. Drejtoresha e Klinikës Infektive dhe Gjendjeve Febrile, sqaroi se para se të vihet ndonjë pacient në respirator, paraprakisht i provojnë të gjitha metodat e tjera të mundshme. Ky është opsioni i fundit në trajtim dhe pikërisht për këtë për të tretën javë nuk e kemi asnjë pacient në respirator.

“Ne përveç se i ndjekim risitë nga bota, mbështetemi edhe në përvojën dhe shqyrtimet tona pikërisht për këtë, vlerësojmë se duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha metodat e tjera para se të vendosim një pacient në respirator”, theksoi dr. Stevanoviq.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në pres konferencë tha se deksametazoni nuk është medikament që duhet përdorur si terapi e mëvetësishme.

“Njerëzit nuk duhet të furnizohen me rezerva apo të blejnë pasi nuk është medikament për përdorim në shtëpi dhe nuk jepet si një medikament i mëvetësishëm, por në kombinim me më shumë medikamente. Ai është në të njëjtën kohë medikament si kortikosteroid dhe ka shumë efekte të padëshiruara. Ai është medikament që ka veprim antiinflamator por në të njëjtën kohë ka edhe veprim imunosupresiv, gjegjësisht e ul imunitetin. Në Amerikë është vënë në listën e medikamenteve tek të cilat mjeku duhet të vlerësojë nëse përfitimi është më i madh se rreziku dhe në bazë të kësaj jepet. Do të thotë pas analizës së detajuar të pasqyrës klinike, përcaktimit të kombinimit të medikamenteve kështu përshkruhet deksametazoni”, tha Filipçe.

Ai potencoi se njerëzit nuk duhet ta përdorin vetë ose ta blejnë dhe të krijojnë rezerva. Bëhet fjalë për medikament serioz i cili, siç tha, mund të japë shumë efekte të padëshiruara.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, lidhur me numrin e rritur të rasteve të vdekjes nga koronavirusi, thotë se thuajse 50 për qind e pacientëve që kanë vdekur, janë sjellë më vonë në klinikë, gjegjësisht pa konsultimin paraprak me mjekun.

“Për diskutimin më të saktë për rastet e vdekjes duhet të bëhen analiza më të sakta. Unë mundem të them nga aspekti i asaj që e shohim në klinikë. Prej mbi 470 pacientëve deri më tani, i kemi 90 të cilët për fat të keq kanë përfunduar me vdekje. Pjesa më e madhe prej tyre janë sjellë për mjekim pas 10-15 ditësh vetëmjekim, gjegjësisht pa konsultimin paraprak të mjekut. Një pjesë tjetër janë sjellë pas vetëmjekimit prej një javësh. Matematikat tona janë se 50 për qind e pacientëve janë sjellë shumë vonë për mjekim dhe besoj se rezultati do të ishte më ndryshe nëse ata do të silleshin me kohë ose të paktën sikur të konsultonin mjekun amë”, thotë Stevanoviq.