Deklarimi i maqedonasve si shqiptarë-Kujt do t’ja merrte mendja?!

Kush do ta besonte se një ditë kultivimi i politikave shtetërore të punësismit do të bënte që maqedonasit e privilegjuar të lakmojnë identitetin etnik të shqiptarëve të cilët kishin qenë të diskriminuar dhe të përjashtuar me dekada. Prandaj, lajmi i madh, nuk qëndron në atë se shqiptarëve po u uzurpohen vendet e punës nga maqedonasit, por në atë se maqedonasit po deklarohen si shqiptarë.

Nga SUZANA SALIU

Shëndeti, puna dhe familja, supozohet se janë tre shtylla kryesore që garantojnë mirëqenien e jetës. Po i arritëm këto, thotë populli ndjehemi të realizuar. Për shëndetin kërkojmë çdo derman, për familjen bëjmë çmos, ndërsa për të gjetur një punë nën ombrellën shtetërore jemi të paskrupulltë.
Gjatë kësaj periudhe, arsyeshëm, po del në sipërfaqe një dukuri interesante që ndoshta është karakteristikë vetem për nënqiellin tonë. Keqpërdorimi i kuotës etnike gjatë punësimit. Deklarimi i maqedonasve si shqiptarë, kujt do t’ia merrte mendja?!

Kuota etnike e punësimit për herë të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut u garantua me Marrëveshjen e Ohrit, që menjëherë pastaj të ndërtohet edhe në ndryshimet kushtetuese të vitit 2001. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve që u përkasin të gjitha bashkësive etnike, në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike, përcaktohet si vlerë themelore kushtetuese. Ky parim nënkupton ndërtimin e intstitucioneve të përbashkëta, mbi të gjitha, synimin e ndërtimit të shtetit të përbashkët nga maqedonasit dhe shqiptarët etnikë, si dhe nga përfaqësimi i pjesëtarëve të bashkësive të tjera. Ky parim kushtetues, jo vetëm që është shndërruar në një normë obliguese, por ka reformuar edhe mentalitetin dhe kulturën e gjithmbarshme të vendit, sepse rrugë tjetër nuk ka. Është më se e qartë se vetëm përmes kësaj strategjie të ndërtimit do të krijojmë ndjenjat e besimit dhe respektit ndaj institucioneve dhe ndaj shtetit ku jetojmë dhe veprojmë.

Obligimi i kuotës etnike gjatë punësimit u garantua si pasojë e një diskriminimi dhe përjashtimi shumëvjeçar të shqiptarëve etnikë nga institucionet e shtetit. Vetëm të përkujtojmë se, sipas një analize të misionit të OSBE-së në Shkup, në vitin 2000/2001, nga 10 mijë policë të shtetit, mezi 100, a ishin apo jo shqiptarë. Gjendja shumë më diskriminuese ishte në organet e drejtësisë dhe të administratës. Por tani, përfaqësimi i shqiptarëve ka ndryshuar dhe ka përparuar aqë shumë sa që disa institucione të rëndësishme që udhëhiqen nga kuadro shqiptare, mbase të identifikohen si institucione të shqiptarëve. Pikërisht, nga kjo periudhë e errët e ka burimin thënia e ulemave të vjetër të Shkupit, ,,më thuaj, sa njerëz ke në institucione shtetërore, do të tregoj sa të drejta ke,,.

Garancia e përfshirjes së shqiptarëve në institucione, ka bërë që disa maqedonas etnikë në konkurse të caktuara për punësim, të deklarohen si shqiptarë. Kush do ta besonte dhe kujt do t’i shkonte mendja, se një ditë, kultivimi i politikave shtetërore inkluzive të punësimit, do të motivonte deklarimin e maqedonasve të privilegjuar të ,,vjedhin,, identitetin etnik të shqiptarëve, që historikisht kishin qenë të diskriminuar dhe të përjashtuar nga institucionet. Edhe pse diskriminimi dhe shtypja ndaj shqiptarëve për shumë dekada kishte qenë pjesë e sistemit shtetëror, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk u kishte shkuar ndërmend që të përfitojnë nga deklarimi i tyre si maqedonas, sepse ishin të vetëdijshëm se bëhej fjalë për motive të ulta. Kurrë dhe asnjëherë. Rrallë ndonjë shqiptar, mbase me dekret kishte pranuar të deklarohej si komunist, por jo edhe si maqedonas. Ndoshta ndonjë shqiptar kishte pranuar të gjykonte, të diferenconte, ose të dilte ,,ispat,, për ndonjë ,,veprimtari armiqësore,, të ndonjë intelektuali shqiptar, por asnjëherë, kurrë asnjëherë, nuk u kishte shkuar ndërmend që të deklarohen ndryshe nga identiteti i tyre historik dhe kombëtar.

Dalja në sipërfaqe e problemit ngjalli reagime të qarqeve të ndryshme, duke filluar nga ato më të thjeshtat e deri te ato të zyrtarëve, madje, disa, duke ofruar edhe zgjidhje të ndërlikuara dhe që nuk pinë ujë. Është e papranueshme se problemi mund të zgjidhet me përcaktimin e përkatësisë etnike në çertifikatën e shtetësisë, sepse një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim të plotë me Konventën Europiane të shtetësisë. Baza e Ligjit të shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është marrë pothuajse tërësisht nga Konventa Europiane e shtetësisë, e cila shtetësinë e definon si ,,lidhje juridike midis personit dhe shtetit e cila nuk e përcakton preardhjen etnike,,. I njëjti definim, fjalëpërfjalë, është ngërthyer edhe në Ligjin e shtetësisë së vendit. Çështja do të ndërlikohej edhe më shumë nëse dëshmia për përkatësinë etnike do të kërkohej nga Enti shtetëror i statitistikës, si i vetmi organ në vend që mban evidencë për këtë lloj deklarimi. Rezultati i grumbullimit i të dhënave nga Enti i statistikës ka karakter të përgjithshëm dhe ato nuk shfrytëzohen për nevoja individuale. Pastaj, kërkimi i këtyre të dhënave do të nxirrte në pah shumë dobësi të funksionimit të punës të Entit të statistikës.

Zgjidhje ka për tejkalimin e problemit por, mungon vullneti do të thoshim. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut zgjidhja e shumë halleve dhe problemeve kërkon parasegjithash vullnet. Si asnjë vend tjetër, kemi lejuar që mungesa e vullnetit të ngrihet mbi vlerat kushtetuese dhe ligjore dhe nuk ka ndëshkim për mungesën e kësaj ndjenje të qenies njerëzore. Respektimin e kuotës etnike gjatë punësimit duhet ta kërkojmë në kuadër të Ligjit për nëpunës shtetëror dhe të Agjencionit për nëpunës shtetëror i cili ofron shërbime për shpalljen e konkurseve, e parasegjithash te vullneti i punëdhënësve. Sepse në të gjitha rastet e evidentuara të uzurpimit të vendeve të punës të shqiptarëve nga ana e bashkështetasve të tyre maqedonas, punëdhënësit janë funksionarë maqedonas. Kësi gabimesh e mashtrimesh nuk bëhen nëpër institucione që udhëheqin funksionarët shqiptarë. Identiteti, veçoritë etnike dhe kombëtare në mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë aqë shumë të mëdha dhe aqë shumë të dallueshme, sa që dikush do t’i dallonte edhe për nga nuri. Prandaj, në këto precedente nuk kemi vetëm mungesë vullneti por edhe bishtnim të qëllimshëm të procedurave të pranimit të punëtorëve, sidomos nga ana e punëdhënësve.

Janë joserize dhe tejet të skajshme mendimet se personat që kanë dhënë të dhëna të rrejshme dhe kanë vënë në lajthitje organet dhe punëdhënësit duhet të procesuohen para organeve gjegjëse. Por të mos harrojmë se në këtë kontekst duhet të merret parasysh edhe ana tjetër njerëzore, nevoja për të gjetur një punë, që është e drejtë themelore e njeriut. Por, edhepse për aktorët me identitet të ri etnik përjashtohet çdo lloj ndëshkueshmërie që bazohet në procedura, njollosja dhe stigmatizimi i emrave të tyre në opinion do të paraqet një dënim të llojit të vet.Përherë do t’i ndjek shqetësimi se për motive të ulta kanë ndryshuar identitetin etnik.
Identiteti kombëtar dhe etnik është trashigimia më e madhe që e bartë njeriu nga paraardhësit e tij, dhe nuk është as për një ditë dhe as për një përdorim, por është historik dhe i përjetshëm,mbase edhe i amshueshëm.

Prandaj, lajmi i madh nuk qëndron në atë se shqiptarëve të Republikës së Maqedonise së Veriut po u uzurpohen vendet e punës nga maqedonasit, por në atë se maqedonasit po deklarohen si shqiptarë?!