Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi e mirëpriti në takim Prof.Dr. Joana Koszewskën nga Universiteti Pedagogjik i Krakovit të Polonisë

Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof.Dr. Lulzim Mehmedi, më13 shtator 2022 e priti në takim pune Prof. Dr. Joana Koszewska nga Universiteti Pedagogjik, përkatësisht Instituti për Edukim Special, të mësimdhënësve dhe edukim shkollor, Departamenti për integrim social në Krakov të Polonisë. Prof. Koszewska është psikologe, por fusha e hulumtimit të saj është Spektri i çrregullimeve të Autizmit.

Stafi i Fakultetit Pedagogjik kishte nderin të dëgjojë një prezantim lidhur me zhvillimin e sistemit edukativ të fëmijëve me spektër të çrregullimeve të autizmit në Poloni, duke filluar pak para viteve 80-ta e deri më sot. Profesoresha potencoi ndikimin e prindërve në ndryshimet që janë sjellë në Poloni, duke filluar nga legjislacioni, trajtimi mjekësor, diagnotifikimi, edukimi dhe mirëqenia sociale e tyre, si rezultat i të cilit është themeluar Asociacioni ndërkombëtar për Autizëm në Poloni, i cili është ombrellë e më shumë shoqatave. Përkujdesja e këtyre fëmijëve, sipas profesoreshës nuk mbaron me moshën 18 vjeçe, por ata kanë themeluar edhe Fondacionin “The Community Hope Foundation”, i cili ngërthen disa qendra përkujdesjeje dhe jetese të të rriturve me autizëm.

Ajo, gjithashtu nënvizoi edhe procesin gjithëpërfshirës, proces i cili e tangon edhe RMV, por edhe shkollat e integruara dhe shkollat speciale për fëmijët me SÇA, si dhe përvojat e tyre disavjeçare të përfshirjes së fëmijëve me SÇA në sistemin e rregullt arsimor, përvoja këto të cilat ishin të dobishme për stafin e Fakultetit Pedagogjik. Gjatë prezantimit, stafi arsimor kishte mundësinë e shkëmbimit të pyetjeve dhe diskutimit, ndërsa Dekani potencoi rëndësinë e këtij takimi për shkëmbim të përvojave ndërkombëtare dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me Universitetin Pedagogjik të Krakovit.