Dehari: E mbështes propozimin për heqjen e izolimit për diasporën gjatë hyrjes në vend

Kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari sot deklaroi se e mbështet nismën e ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili kërkon lehtësim për diasporën gjatë kthimit në vend.

Dehari thotë se nisma e Bekteshit, për heqjen e masës 14-të ditore për izolim për bashkëqytetarët tonë nga diaspora duhet të mbështet nga të gjithë.

“Një lehtësim i tillë është mundësi që bashkëqytetarët tanë të kthehen në atdheun e tyre pa asnjë pengesë. Kjo do të ndikojë pozitivisht në rritjen e shtetit dhe zhvillimin lokal të ekonomisë. Ata janë prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tanë, ata meritojnë më shumë se kushdo që të ketë trajtim dhe lehtësim institucional”, thotë Dehari, duke shpjeguar mbështetjen e propozimit që do t’i dërgohet Komisionit për sëmundjet infektive për të lehtësuar protokollin për ardhjen e mërgimtarëve në vend.