Debati për zgjedhje parlamentare në kohë të vështirë pandemie!

Partitë politike për interesat e tyre hapën temën e zgjedhjeve në kohë pandemie dhe në këtë mënyrë qytetarët filluan të mendojnë se kornonavirusi ka ikur. Kështu thotë analisti Xhelal Neziri në emisionin “Euclik”.

“Hapja e temës së zgjedhjeve, hapja e temës së datës se kur do të mbahen zgjedhjet, hapja e temës se kur duhet të kthehet parlamenti mendoj se këtu gërshetoj interesa të ndryshme të partive politike në pushtet të cilat filluan kalkulimet e tyre. Filluan me kalkulimet duke plotësuar dëshirat e njerëzve të cilët nuk e kuptonin rrezikun e këtij virusi”, deklaroi Neziri-analist.

E për këtë Bujar Osmani thotë se tema e zgjedhjeve u hap përshkak se gjendja filloi të përmirësohet.

“Nga momenti kur u rikthye debati i zgjedhjeve, edhe pse debati u kthye si rezultat i imponimit të mungesës së parlamentit por edhe përmirësimit pak të gjendjes epidemiologjike ajo e defukusoi diskursin publik i cili paraprakisht ishte 100 përqind virusi dhe asgjë tjetër. Kjo i dha një mesazh premtues njerëzve se situata përfundoi dhe se tani mund të kalojmë në tema politike”, deklaroi Osmani.

Nga VMRO-DPMNE thonë se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe se data e zgjedhjeve për ta për momentin nuk është temë diskutimi.

“Situata me virusin korona në Maqedoni nuk është nën kontroll fare. Maqedonia po përballet me një katastrofë në trajtimin e pandemisë. Atë me të cilën po jetojnë qytetarët është një tmerr që nuk është parë në asnjë vend tjetër të rajonit dhe më gjerë”, tha Igor Kuzmanovski nga VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për shqiptarët me qëndrim se zgjedhjet mund të mbahen më 26 korrik por kjo nuk është temë diskutimi për shkak të rritjes enorme të infektuarve me Kovid 19.

“Një datë e mundshme do të ishte do të ishte ajo datë e përshtatshme e krijuar në bazë të një konsensusi politik të forcave politike kryesore, ashtu siç u soll data e 12 prillit dhe më pas u anulua. Duhet të jemi serioz dhe të sillemi konform situatës së krijuar. Tek çështja e pandemisë Qeveria duhet të ketë përgjegjësi pak më të madhe së bashku me Komisionin për sëmundje ngjitëse, pasi që kemi një rikthim të gjendjes së vështirë”, tha Flakron Bexheti-ASH.

Edhe përkundër rritjes së numrit të infektuarve me Kovid 19, LSDM-së vazhdon me idenë që zgjedhje të ketë sa më shpejtë. Afati më i afërt për zgjedhje është 5 korriku, që i bie 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.