Debati i komunitetit LGBTQI, reagon Dojna Mema: Degjenerimi i shoqërisë nuk vjen nga dashuria!


Propozimi i komunitetit LGBTQI që fjala nënë të zëvendësohet me “prindi që të lind” ka ndezur një debat të madh social. Një pjesë kanë dalë kundër kësaj kërkese, duke u shprehur se fjala “nënë” nuk mund të zëvendësohet kurrë.

Para pak ditësh në ekranin e “Abc News” pati një debat të fortë mes moderatores Blerta Tafani dhe aktivistes së komunitetit LGBTQI, Xheni Karaj. Tafani u shpreh se e sheh shumë problematike ecurinë e familjes dhe të Shqipërisë e sheh me skepticizëm martesën dhe familjen gay.
“Nuk funksionon jeta me dy baballarë. Merr fund jeta me një familje homoseksuale. Kjo është fyese kjo që thotë, lindni ju dhe për ne. Unë e heq mikrofonin, ti më fyen mua”, tha moderatorja gjatë debatit, duke theksuar se ky grup e degjeneron shoqërinë.

Xheni Karaj u shpreh e ofenduar nga fjalët e saj dhe e konsideroi këtë deklaratë si një injorancë të madhe. Në lidhje me këtë debat ka reaguar dhe moderatorja Dojna Mema. Kjo e fundit i ka dalë në mbrojtje komunitetit LGBTQ, duke u shprehur se nuk duhet të ndihen keq nga këto fjalë, por përkundrazi duhet të qeshin me këta persona.

“Nuk mund ta besoj që kjo bisedë bëhet në televizion në vitin 2021. Së pari, fëmija nuk bën familjen. Pra, familja nuk quhet e tillë vetëm se ka fëmijë në mes. Së dyti, po gratë që nuk riprodhohen dot ose nuk duan, janë gjithashtu shkatërrim i kësaj shoqërie se nuk shtojnë numrin e humanëve në rang botëror?! Zonjë, degjenerimi i shoqërisë nuk vjen kurrë nga dashuria, por nga ndjenja e kundërt me të. Uroj vërtetë që çdo djalë apo vajzë që i përket komunitetit LGBTQ+ ‘t’i fusë një të qeshur’ kur sheh këtë video e ta marrë si satirë, se ndryshe do ishte tragjedi e madhe”, shkruan Dojna në një postim.