Debat i nxehtë mes Xhaferit dhe Micevskit! Nuk do të ketë seancë për pakon e 5-të, nuk janë plotësuar kushtet

Debat i nxehtë mes koordinatorit të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, Nikolla Micevski dhe Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Micevski kërkoi që të caktohet seancë për miratimin e pakos së pestë të masave për ndihmën e qytetarëve dhe ekonomisë për shkak të krizës me Kovid-19 pasi që dje kaloi në debatin e Komisionit.

“Edhe pse nuk janë të mjaftueshme dhe janë të vonuara, vlerësoj se nuk duhet ne të jemi pengesë dhe arsye, së paku nga kjo pjesë e detyrave që i kemi në Kuvend të përfundohet një orë e më parë për shkak të ekonomisë. Nuk them se Kuvendi është funksional dhe se nuk ka probleme të tjera, megjithatë së paku këto për pakon e pestë të masave ekonomike nuk ka asnjë pengesë”, u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

Por për Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk janë plotësuar kushtet e Rregullores por se edhe Parlamenti nuk ka punuar në bazë të vërejtjeve procedurale.
“I sollëm institucionet në gjendje që të mos mund të funksionojnë në këtë gjendje krize. Gjyshi im… nëse tashmë po pyet kush, gjyshi im. Nuk janë plotësuar kushtet e rregullores që të mund të vazhdojë ajo seancë”, deklaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Megjithatë Micevski këmbënguli se ka kushte për mbajtjen e seancës për pakon e 5-të masash.
“Nuk e di pse 24 orë pas përfundimit të komisioneve ju ende nuk keni Raport lidhur me këtë kërkesë e cila është me prioritet dhe të cilën e presin qytetarët”, tha Micevski.
“Ti e di se para 24 orëve, dje e ndërpremë këtë seancë shkaku i vaksinimit të shërbimit dhe tani mos u thirrni në shërbimin se çka bën shërbimi. Shërbimi dje në orën 13 ndaloi me punë për shkak të vaksinimit”, shtoi kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Ligjet nga pakoja e pestë janë në procedurë parlamentare qysh nga shkurti, por për shkak të numrit të madh të amendamenteve të dorëzuara nga ASh/AAA, mbetën të bllokuara në Kuvend. Këto ditë, së pari VMRO-DPMNE-ja i tërhoqi amendamentet për Ligjin për Shtetësi, kurse pastaj njësoj veproi edhe koalicioni Aleancë/Alternativë.