Deanoski: Do të ketë eksod të punonjësve nga sektori publik nëse së shpejti nuk u rriten pagat me 30 përqind

“Nuk ka Ministri apo institucion ku deri më tani kemi mbajtur takim dhe ku drejtuesit dhe menaxherët nuk janë të vetëdijshëm se do të ketë një eksod masiv të punonjësve nëse pagat nuk rriten me 30 për qind sa më shpejt të jetë e mundur,” deklaroi këtë mbrëmje kryetari i UPOZ-it, Trpe Deanoski.

Siç theksoi ai në një intervistë për emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, kjo çështje prek veçanërisht kuadrot.

“Nuk mund të tërheqim punësime të reja në administratën shtetërore, sistemin gjyqësor, agjencitë dhe fondet nëse pagat nuk rriten. Kjo është dëshmuar gjatë viteve të fundit, pasi në shpalljet e publikuara nga Agjencia për Administratë apo nga ministritë, askush nuk aplikon dhe të rinjtë nuk janë të interesuar të punojnë në administratën publike,” tha Deanoski.

Ai theksoi se paga fillestare për një person me arsim të lartë në sektorin publik aktualisht është 26,000 denarë.
“Pse dikush do të punonte për 26,000 denarë?” pyeti Deanoski, duke shtuar se tashmë as nga shtabet partiake nuk ka interes për të punuar për një pagë të tillë.

Aktualisht, sipas tij, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore, dhe as që ka pasur ndonjëherë, për nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive për rritjen e pagave, pavarësisht se për cilën pjesë të sektorit publik bëhet fjalë. Megjithatë, përdoruesit e buxhetit duhet më parë të marrin miratim nga Ministria e Financave për të ndërmarrë këtë hap.

“Edhe pse rregullorja e qeverisë së kaluar, sipas së cilës kërkohej që para nënshkrimit të çdo marrëveshjeje kolektive në administratën publike të merrej pëlqimi nga Ministria e Financave, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese, mbetet ende neni 4 i Ligjit për Zbatimin e Buxheteve, i cili parashikon të njëjtën gjë. Pikërisht kjo është arsyeja pse Ministria e Financave refuzon marrëveshjet kolektive,” theksoi Deanoski.

Ai shtoi se madje edhe institucionet shtetërore që kanë të ardhura vetjake nga ofrimi i shërbimeve nuk mund t’i përdorin ato për rritjen e pagave apo nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive pa miratimin dhe mendimin e Ministrisë së Financave.

Deanoski sqaroi se kjo çështje varet nga sektori publik për të cilin nënshkruhet marrëveshja kolektive. Ai vuri në dukje se nuk ka pasur probleme me marrëveshjet kolektive në vetëqeverisjen lokale dhe ndërmarrjet publike, pasi ato kanë të ardhura të veta dhe mund të menaxhojnë me to.

“Kur tashmë emërohen drejtorë dhe drejtues të institucioneve publike dhe nga ata kërkohen deklarata me përgjegjësi penale se do të menaxhojnë me maturi buxhetet e tyre, duhet t’u lejohet që t’i përdorin ato në mënyrë që të rrisin pagat e punonjësve për t’i mbajtur në punë,” përfundoi Deanoski.